Zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Gabriel Escobar javën e ardhshme pritet të marrë detyrën e Zëvendësndihmës sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit.
Ky lajm është konfirmuar për agjencinë e lajmeve serbe, Beta nga Ambasada amerikane në Beograd.
Por kush është Gabriel Escobar?
Gabriel Escobar në gusht të vitit 2019 u emërua në postin e zëvendësshefit të misionit në Ambasadën amerikane në Beograd. Më herët, ai kishte shërbyer si i ngarkuar me punë në këtë ambasadë.
Nga viti 1998 deri më 2001, Gabriel përfundoi katër turne radhazi në ish-Jugosllavi, ku ka shërbyer edhe si shef i stafit në Zyrën e përfaqësuesit të lartë në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës, shef i degës së ambasadës në Banja Llukë, zëvendësdrejtor i ekipit të Zyrës ndërlidhëse diplomatike të SHBA-së në Podgoricë dhe më 2001, pak pasi u rihap ambasada në Beograd ka shërbyer si shef i njësisë politike në Ambasadën amerikane.
Ndërkaq, në Byronë për Çështje Evropiane, Gabriel ka shërbyer si këshilltar për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën në Lisbonë, zëvendëskëshilltar politik në Romë dhe zyrtar ushtarak politik në Pragë si dhe zëvendëskonsull në Moskë.
Gabriel, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak.
Po ashtu ai ka mbajtur pozita të larta në Ambsadën amerikane në Bagdad, në La Paz, Peshavar si dhe ka qenë udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk të Irakut.
Gabriel ka diplomuar në Universitetin Colombia në Nju Jork dhe flet gjuhën spanjolle, ruse, italiane, serbe, çeke dhe portugeze