Parlamenti Europian pritet të miratojë sot në orën 15:00 Rezolutën që dënon agresionin rus kundër Ukrainës.
Në këtë rezolutë, PE shpreh keqardhje që Serbia mbështeti Rusinë, duke thënë se ky qëndrim do ta dëmtojë rëndë procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.
Përkatësisht në Pikën 32 të Rezolutës që i referohet Ballkanit Perëndimor, PE shpreh shqetësimin e madh për përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për të destabilizuar vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Newsbomb.al.
PE vlerëson angazhimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë.
“(Parlamenti Evropian) vëren me shqetësim të madh përpjekjet e vazhdueshme të Federatës Ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërhyrjen në proceset e tyre demokratike; denoncon ata që i shprehën mbështetje Federatës Ruse pas agresionit të saj ndaj Ukrainës dhe përgëzon mbështetjen e treguar nga ato vende të Ballkanit Perëndimor që janë aleatë euroatlantikë; shpreh keqardhjen e madhe për mos-angazhimin e Serbisë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, e cila dëmton procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe rithekson pritshmërinë e saj që kandidatët për anëtarësim në BE të përputhen jo vetëm me acquis-në e BE-së, por edhe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian”, thuhet në Pikën 32 të Rezolutës, sipas EWB.