“Delegacionet polake, sllovene dhe çeke janë kthyer shëndoshë e mirë në vendin tonë pas vizitës së tyre në Kiev”, ka njoftuar zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller në një postim në Twitter.
Kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë, përkatësisht Mateusz Morawiecki, Petr Fiala dhe Janez Jansa ishin pjesë e delegacionit që vizitoi Kievin një ditë më parë, vizitë e cila u konsiderua e guximshme, për shkak të rrethimit të Kievit nga forcat ruse.
Ata mbërritën një ditë më parë me tren dhe u takuan me kryeministrin ukrainas Zelenzky, një veprim që u konsiderua shenjë e fortë mbështetjeje nga Zelensky.
Tre liderët evropianë, të cilët thanë se po përfaqësonin Këshillin Evropian në takimin e Kievit, udhëtuan për në kryeqytetin ukrainas me tren.
Ndërkohë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha palët janë pranë arritjes se një marrëveshjeje paraprake dhe Kievi po e merr seriozisht në konsideratë statusin neutral. Megjithatë, ai tha për median “RBC” se kishte edhe gjëra të tjera të rëndësishme për t’u dakordësuar, si përdorimi i gjuhës ruse në Ukrainë dhe liria e shprehjes.
Lavrov shtoi se Rusia nuk sheh asnjë shenjë që SHBA të jetë e interesuar për të zgjidhur konfliktin. “SHBA luan rol vendimtar në formimin e qëndrimit të autoriteteve ukrainase, por sot nuk shohim interes prej tyre për ta zgjidhur konfliktin shpejt”, tha Lavrov.
Para komenteve të Lavrov, negociatori rus Vladimir Medinsky, tha për agjencinë rusë të lajmeve Interfax se bisedimet ishin të ngadalta dhe të vështira, por Rusia donte të arrinte seriozisht paqen, sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne kemi nevojë për një Ukrainë paqësore, të lirë dhe neutrale, jo anëtare të ndonjë blloku, jo anëtare të NATO-s”, tha Medinsky