Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, ka ‘përgëzuar’ ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, që, sipas tij i dha ‘puthjen e vdekjes’ nismës Ballkani i Hapur, për të cilën tha se ishte një ide që avancon agjendën e “partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë”.
Pas anulimit të vizitës në Beograd, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se “NATO-ja dhe BE-ja duan ta kthejnë Ballkanin në një projekt të tyre të quajtur ‘Ballkan i Mbyllur’”, duke iu referuar Ballkanit të Hapur.
Për këtë Joseph tha se Lavrovit i takojnë meritat për shkaktimin e dështimit të 'Open Balkan'.
“Sikurse duhet falënderuar Putinin që i injektoi jetë NATO-s, lavdërime edhe për Sergey Lavrov që i dha puthjen e vdekjes 'Ballkanit të Hapur'," shprehet Joseph.
“'Open Balkan' është ftesë e hapur për Vuçiçin që të shfrytëzojë madhësinë ekonomike të Serbisë për avantazhe politike – pa kufizime politike apo vlera të BE-së. OpenBalkan = ‘Bota Serbe’ nëpërmjet tregut për fqinjët më të vegjël të Serbisë”.
Joseph ka thënë se jo domosdoshmërisht tregtia krijon besim, duke marrë shembull edhe shtete të tjera që marrëdhëniet tregtare nuk ia kanë zgjidhur problemet politike.
“Duke besuar se Aleksandar Vuçiç dëshiron të anëtarësohet në BE, zyrtarët e SHBA-së kanë pranuar nocionin se ‘tregtia është e barabartë me besimin’. Ajo që ka rëndësi është karakteri i regjimit me të cilin po tregtoni. Pyeteni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ka qenë partneri kryesor tregtar i Kievit, për eksporte dhe importe. Pyesni Japoninë, Korenë e Jugut ose Tajvanin nëse tregtia ka krijuar besim me Kinën”.
Ai thotë se e njëjta histori është edhe në Ballkan.
“Serbia është partneri tregtar numër një i Malit të Zi, për importe dhe eksporte – dhe Beogradi është në vendin e fundit për sa i përket besimit. Përkrahja e fundit e kryeministrit të Malit të Zi për Open Balkan ka përkeqësuar ndasitë në vend”.
“Sikurse BERZH vuri në dukje se në Bosnje, problemet thelbësore ekonomike janë të natyrës politike. Ashtu siç ka e ka shtyrë Putini NATO-n, shpresojmë se Lavrov do të nxisë alternativat për 'Open Balkan' që ndërtojnë një treg të përbashkët rajonal mbi vlerat e përbashkëta të BE-së”.