Shkrimtari i njohur, Salman Rushdie u ther nga një 24-vjeçar, teksa ishte në skenë në Nju Jork. Rushdie është në ventilator, nuk flet dot dhe mund të humbasë një sy. Agresori është një simpatizant i Iranit. Prej 30 vitesh, Rushdie përndiqet për librin e tij, ‘Vargjet Satanike’
Nga Aleem Maqbool, BBC
Salman Rushdie është përballur me kërcënime me vdekje për më shumë se 30 vjet që nga botimi i ‘Vargjeve Satanike’.
Zoti Rushdie pati thënë se qëllimi kryesor i romanit të tij ishte të shqyrtonte përvojën e emigrantëve, por disa myslimanë u ofenduan nga portretizimi i Profetit Muhamed dhe vënia në pikëpyetje e natyrës së shpalljes së Kuranit si fjalë e Zotit.
‘Vargjet Satanike’ u ndaluan fillimisht në vendin e lindjes së autorit, në Indi, dhe më pas në disa vende të tjera përpara se Ajatollah Khomeini i Iranit të lëshonte fetvan e tij famëkeqe.
Fetvaja bënte thirrje për vrasjen e kujtdo që ishte përfshirë në botimin e librit dhe ofronte shpërblim për ata që marrin pjesë në vrasje.
Kjo fetva nuk është anuluar kurrë zyrtarisht.
I befasuar nga natyra e përhapur e protestave, Salman Rushdie u kërkoi falje myslimanëve, por u fsheh.