Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka postuar në profilin e tij në Instagram një pjesë të paraqitjes në një emision në TV Prva, në të cilën i premton popullit serb duke u betuar ‘në bibël dhe në gjak’ se do të mbrojë popullin serb, do të udhëheqë në mënyrë të pavarur dhe do t’i ruajë miqësitë tradicionale të Serbisë (me Rusinë).
‘Dua t’u kërkoj njerëzve që ta duan vendin e tyre. Ne do të luftojmë. Ne do të luftojmë për popullin e Serbisë’, thotë Vuçiç në pjesët e shkëputura të videos
Vuçiç e ka ashpërsuar gjuhën e tij, sidomos pas tensioneve në Veri të Mitrovicës kur Kosova vendosi të zbatojë masën e reciprocitetit për targat dhe për dokumentin për hyrje/dalje të shtetasve serbë në Kosovë, ashtu siç e aplikon Serbia për shtetasit e Kosovës.
Pas katër ditësh, me 18 gusht, Vuçiç do të udhëtojë për në Bruksel ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Është spekuluar shumë se cilat do të jenë temat e këtij takimi, mirëpo nga vetë Bashkimi Evropian nuk është zyrtarizuar akoma gjë sa i përket kësaj pjese, përveç se është thënë që do të dalin me detaje në ditët në vijim.
Duke folur po për këtë takim në Bruksel, ambasadori i Serbisë, Christopher Hill, ka thënë se do të ishte mirë që pjesë e tryezës së bisedimeve të ishte edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe