Rënia e qeverisë së drejtuar nga teknokrati Mario Dragi shënon fundin e legjislaturës aktuale parlamentare në Itali. Italianët do të shkojnë në kutitë e votimit më 25 shtator për të zgjedhur pushtetarët e tyre të rinj. Favoritja kryesore për t’u betuar si kryeministre është Xhorxhia Meloni, drejtuese e partisë së djathtë Fratelli D’Italia (Vëllezërit e Italisë).
Nëse ndodh, Meloni, 45 vjeçe, do të ishte gruaja e parë që do të mbante këtë post, dhe e para grua kryeministre e krahut të djathtë në historinë e Republikës që lindi nga hiri i regjimit fashist në vitin 1945. Megjithëse e djathta italiane ndërpreu lidhjet e saj me lëvizjet post-fashiste në fillim të viteve 1990 dhe shumë nga anëtarët e saj të shquar kanë shërbyer si ministra në qeveritë e ndryshme të Silvio Berluskonit, qendra e majtë është e shqetësuar nga perspektiva e një kryeministri të krahut të djathtë.
Të gjitha sondazhet tregojnë se koalicioni i qendrës së djathtë, që përfshin Melonin, ish-kryeministrin Silvio Berluskoni dhe Mateo Salvinin e Lega-s, janë në rrugën e duhur për të fituar një shumicë të përgjithshme në të dyja dhomat e Parlamentit italian.
Xhorxhia Meloni, kush është udhëheqësja e së
Kjo do të nënkuptonte një periudhë 5-vjeçare në pushtet, në të cilën Meloni dhe aleatët e saj mund të ndryshonin Kushtetutën e Italisë, dhe të shkonin drejt një sistemi presidencial, të cilin e djathta e ka kërkuar prej vitesh. Por establishmenti i politikës italiane nuk është dakord.
Gazeta e krahut të majtë “La Repubblica”, ka filluar një fushatë shpifjeje kundër Melonit, duke e quajtur atë “Ducetta” - “Duçja e Vogël” - një aluzion ndaj pseudonimit që kishte dikur lideri fashist Benito Musolini. Gazeta ngre vazhdimisht shqetësimin për papërshtatshmërinë e supozuar të Melonit për postin e kryeministrit dhe kërcënimit që ajo do të përbënte për demokracinë italiane.
Kjo gazetë paralajmëron se Italia do t’i binte në dorë e investitorëve plot dritëhije, do të përjetonte reduktimin e të drejtave civile, dhe do të ndërpriste lidhjet me Bashkimin Europian. Shumë analistë mendojnë shumë për këtë të fundit, pasi Brukseli po financon ekonominë e sëmurë të Italisë përmes projektit të BE-së, Gjenerata Tjetër.
Si Presidente e Partisë së Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë (ECR) në Parlamentin Europian, Meloni ka përsëritur se pozita e Italisë në Europë nuk do të ndryshonte edhe nëse ajo do të formojë një koalicion qeverisës të qendrës së djathtë. Për shembull në mars, gjatë një artikulli për gazetën “Corriere della Sera” që mban një qasje të moderuar ndaj kampeve politike, Meloni shprehu besimin e saj te një konfederatë e shteteve europiane.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj të pamëshirshëm mediatikë, fokusohen vazhdimisht te dobësitë e supozuara profesionale të Melonit. “Ajo nuk është e denjë për të qenë kryeministre”, “Ajo është e paprovuar dhe partia e saj nuk ka talent politik” theksojnë ata. Por pas vitesh përpjekjesh me partitë e testuara pro-establishment, dhe me Lëvizjen populiste Pesë Yjet në vitin 2018, italianët duan ndryshim. Rritja e inflacionit, kriza e kostos së jetesës dhe stanjacioni i pagave dhe i produktivitetit, kanë prekur rëndë shtresën e mesme dhe të ulët në vend.
Xhorxhia Meloni, kush është udhëheqësja e së
Edhe pse ka qenë ministre në qeverinë e Berluskonit të vitit 2008, Meloni shihet si një frymë e freskët, pa komplekset e së shkuarës dhe e gatshme ta çojë vendin përpara. Nga pikëpamja sociale, ajo përfaqëson me shumë Italinë Jugore të mbisubvencionuar sesa Italinë Veriore më të begatë.
Gjithsesi ajo është zotuar të ulë taksat e korporatave dhe të mbështesë me masat lehtësuese biznesin. Ajo ka premtuar gjithashtu se do të anulojë famëkeqin Reddito di Cittadinanza, programi i diskutueshëm me të ardhura bazë i miratuar nga Lëvizja Pesë Yjet në vitin 2018. “Nuk ka më para gratis, jo më një shtet-dado”- deklaroi Meloni në një tubim partiak. Madje disa në partinë e saj shkuan aq larg sa të sugjerojnë që njerëzit që refuzojnë një punë duhet të gjobiten. Ekspertët e kanë sulmuar Melonin dhe mbi të gjitha aleatët e saj në lidhje me qasjen ndaj politikës së jashtme.
Berluskoni dhe Salvini kanë qenë dashamirës ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin. Varësia e madhe e Italisë nga nafta dhe gazi rus shpjegon edhe sjelljen e kujdesshme të politikanëve italianë ndaj Rusisë. Mungesa e perceptuar e pasionit të politikanëve italianë për të mbështetur rezistencën e Ukrainës kundër Rusisë ka krijuar një lloj shqetësimi.
Por Meloni ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e saj për presidentin Zelenski, dhe e ka përmendur mbrojtjen e Kievit si fokusin kryesor në manifestin politik të qendrës së djathtë.
Ndërkohë, mediat e krahut të djathtë kanë nxjerrë në pah lidhjet transatlantike të Melonit me Shtetet e Bashkuara dhe grupimet konservatore amerikane.
Ajo ishte e ftuar më 4 korrik në ambasadën amerikane në Via Veneto për të festuar Ditën e Pavarësisë së Amerikës. Gjatë viteve të fundit, ajo ka zhvilluar lidhje të ngushta me ish-ambasadorin e SHBA-së, Luis Ajzenberg. Ndër të tjera, ajo u bë bashkëpunëtore e Institutit Aspen, që në Itali drejtohet nga Xhulio Tremonti, ish-Ministër i Financave në qeverinë Berluskoni, për të cilin shumë analistë mendojnë se do të luajë një rol kyç në qeverinë e saj.
Meloni, një folëse e rrjedhshëm e anglishtes, është shfaqur 3 herë në skenë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Orlando, ku ajo u takua me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Në fjalimet e saj, ajo e vuri theksin tek lidhjet e konservatorëve italianë me Amerikën, kundërvënien e saj ndaj luftërave kulturore dhe besimin tek një politikë e bazuar tek identitet, në të cilën tradita dhe patriotizmi formojnë shtyllën kurrizore të shteteve-kombe dhe veprimit politik.
Është shumë herët të thuhet nëse Meloni do të jetë vërtetë kryeministrja e parë grua e Italisë. Zgjedhjet parlamentare janë gati 1 muaj larg, dhe progresistët po zhvillojnë me zell betejën e tyre të supozuar kundër “fashizmit.” Një nga aleatët më të vendosur të Melonit, bashkëthemeluesi i Fratelli D’Italia, Guido Kroseto, foli për gazetën britanike The Times, duke i etiketuar si “idiotë” njerëzit që vlerësojnë arritjet e supozuara të Musolinit.
Kjo në një përpjekje për ta larguar partinë nga trashëgimia politike e Duçes. Është e qartë se nuk është fashizmi, ai që po i josh njerëzit drejt politikanëve si Meloni. Pasi zgjodhi të mos i bashkohet qeverisë së unitetit të Mario Dragit në shkurt 2021, mbështetja e saj në sondazhe është rritur shumë.
Shumë italianë e kanë identifikuar atë si shpresën e fundit për të rikthyer krenarinë kombëtare, dhe për të zhbllokuar një sistem që ndodhet në prag të kolapsit. Një model i ngjashëm i ndodhi Lëvizjes Pesë Yjet në vitet 2018 dhe Lega-s në vitin 2019 pasi fituan zgjedhjet parlamentare evropiane me një shumicë dërrmuese.
Shumë analistë parashikojnë se sapo të ngjitet në pushtet, edhe Meloni do ta humbasë tërheqjen e saj pasi ekonomia do të marrë një kthesë tjetër për keq, dhe në kushtet kur faturat e energjisë do të vazhdojnë të rriten. Politika italiane është ende në kaos.
Askush nuk ka qenë në gjendje të zëvendësojë sharmin politik të Silvio Berlusconit në koalicionin e qendrës së djathtë. Askush nuk e ka zëvendësuar statusin e tij si i preferuari i sipërmarrësve të mëdhenj dhe të vegjël. Edhe pse në rënie, kulti i tij luan ende një rol të madh në fatin e aleancës.
Pritshmëri të mëdha po lindin për Melonin ashtu siç për paraardhësit e saj. A do të jetë ajo në gjendje të menaxhojë sfidat dhe të sigurojë stabilitetin politik të Italisë? Këtë do ta tregojë vetëm koha