Nga Mark Galeotti, ‘Spectator’
Në udhëtimet e mia, kur ende isha i mirëpritur në Rusi, nuk pata asnjëherë ndjesinë se dritaret atje ishin tepër të dëmtuara apo joshëse. E megjithatë, numri i rusëve apo i personave të lidhur me rusët që e kanë arritur fundin duke u hedhur nga dritaret është i tillë saqë është shndërruar në meme vulgare e bajate.
Së fundmi, Ravil Maganov, president i konglomeratit Lukoil vdiq pasi ra nga një dritare në Moskë të enjten. Vdekja e tij pasoi vdekjen në Washington të Dan Rapoport, një biznesmen amerikan që ka qenë aktiv në Rusi para se të kthehej në kritik i regjimit. Ai u hodh nga një pallat në Georgetown.
Përtej këtyre, ka pasur një varg vrasjesh e vdekjesh midis biznesmenëve të mëdhenj rus, si për shembull vrasja-vetëvrasja e dyshuar në Costa Brava, ku, sipas policisë spanjolle, një ish-menaxher i prodhuesit të gazit të lëngshëm Novatek vrau vajzën e gruan para se të vriste veten.
Në të gjitha këto raste, polica ka deklaruar se nuk ka pasur prova për krim dhe secila nga viktimat është përshkruar si në depresion dhe të alkoolizuar para vdekjes. Asnjë nga këto nuk ua mbush mendjen atyre që automatikisht shohin dorën e Kremlinit në fatalitete të tilla.
Në erën e helmimeve post-Litvinenko, post-Skripal, post-Navalny, sa herë që një rus i njohur vdes, dikush pretendon për krim. Çdo rus i vdekur është një “oligark” (asnjë nga të vdekurit së fundmi, as Maganov, nuk e meriton këtë titull) ose një “kritik i njohur i Putinit” (pavarësisht disa pretendimeve, Lukoil nuk e ka kritikuar luftën në Ukrainë, thjesht shprehu shpresat për përfundim të shpejtë). Vrasjet ndjekin një “udhëzues Kremlini”, dhe regjimi që ndoti gjithë Londrën me polonium dhe mendoi se vizita në kullën e Katedrales së Salisbury ishte një histori e mjaftueshme mbulimi supozohet se ka të gatshëm ninxha që janë në gjendje të kryejnë vrasjet perfekt pa lënë asnjë gjumë.
E vërteta ka gjasa të jetë shumë më komplekse dhe thotë disa gjëra të rëndësishme për atë çka po ndodh në Rusi sot.
Para së gjithash, është e qartë që shteti rus vret. Thjesht pyesni liderët opozitarë Aleksei Navalny apo Vladimir Kara-Murza, që të dy të helmuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), ndonëse shpëtuan. Apo Aleksander Litvinenkon dhe Sergei Skripalin – megjithëse nuk mundeni, sepse njëri ka vdekur e tjetri fshihet. Asnjë nga këto operacione nuk mund të ishin kryer pa miratim nga lart fare.
Më shpesh, megjithatë, janë njerëz nga brenda aparatit shtetëror, të motivuar ose nga besimi se veprojnë në emër të Kremlinit, ose nga hakmarrjet personale, ose, më shpesh, nga afera korruptive. Kur figura opozitare Boris Nemtsov u qëllua më 2015, hasmi i tij me shumë gjasa kishte mëri të vetën, por ndoshta e ndjeu se po i bënte një dhuratë edhe Putinit, ndonëse praktikisht kjo e sikletosi shumë Putinin dhe shkaktoi një farë krize në prapaskenë.
Nga ana tjetër, kur Gjeneral Majori i policisë Boris Kolesnikov arriti t’u ikte dy rojeve e të hidhej drejt vdekjes nga një dritare e katit të gjashtë teksa ishte në arrest shtëpie, më 2014, kjo u duk se ishte pjesë e një lufte territoriale midis policisë dhe FSB për kontrollin (fitimprurës) e hetimeve mbi krimet ekonomike.
Shumica e vdekjeve duken si të shkaktuara nga të tjerë dhe vërtet janë të motivuara nga paratë, jo politika, dhe nuk kanë të bëjnë fare me Kremlinin, përtej faktit që ky regjim e lejon vrasjen si një praktikë të pranueshme biznesi.
Pjesë e përgjigjes është se ka mundësi të jetë duke u zhvilluar diçka e tillë si ndonjë luftë biznesi e padeklaruar, teksa presioni i sanksioneve dhe realitetet e reja të veri-koreanizimit të Rusisë kanë tronditur balancën e vjetër të pushtetit dhe parave. “Mësymjet” – marrja e bizneseve me anët të mashtrimeve përmes sistemit ligjor – janë sërish në rritje e po ashtu edhe shumë mënyra të pamëshirshme të grabitjes së aseteve dhe zgjidhjes së konflikteve.
Por ka mundësi që të ketë vërtet edhe më tepër vetëvrasje teksa shohin t’u shemben pasuria dhe ëndrrat.
Ekziston një organ kërkimesh shkencore mbi metodologjitë e vetëvrasjeve, të cilat, më tepër se përpjekje për të gjetur rrugë për t’u dhënë fund janë përpjekje për të zbuluar se cila është “moda” e momentit, se si kulturat e ndryshme favorizojnë përqasje të ndryshme (amerikanët zgjedhin armët e zjarrit, siç mund të merret me mend; koreanët zgjedhin varjen), si dhe cilat vetëvrasje me shumë gjasa janë një lloj thirrje për ndihmë (për shembull, mbidozat). Të paktën disa nga këto figura fare mirë mund të kenë synuar vërtet vetëvrasjen.
Kjo flet edhe për gjendjen shpirtërore në qarqet e biznesit rus. Grabitqarët mund të jenë duke e shijuar gjahun për momentin (ndonëse edhe ata duhet të shqetësohen për mënyrën sesi “operacioni special ushtarak” nuk po shkon sipas planit), por për shumë biznesmenë e ardhmja duket e zymtë, veçanërisht siç lë të nënkuptohet këshilltari jozyrtar i Putinit për sigurinë kombëtare, Nikolai Patrushev, se mund të vijë prapë koha për ri-shtetëzime masive.
Ndërsa shteti vret kur do, seria aktuale e vdekjeve dhe vetëvrasjeve në të vërtetë na tregon më tepër se si është gjendja e vërtetë e elitës së biznesit në Rusi, ose në luftë kundër njëri-tjetrit me vendosmëri vrastare, ose në dëshpërim për përfundimin e ditëve të bukura që gëzonin./Marrë nga revista Spectator