Një gjykatës federal në Teksas arriti të enjten në përfundimim se plani i Presidentit Joe Biden për të falur qindra miliarda dollarë borxhe për studentët, ishte i paligjshëm dhe duhet të anulohet, një fitore për kundërshtarët konservatorë të programit.
Gjykatësi Mark Pittman, i emëruar nga ish-presidenti republikan Donald Trump në Fort Worth, e mori vendimin në emër të dy huamarrësve.
Plani i lehtësimit të borxhit ishte bllokuar më parë përkohësisht nga Gjykata e 8-të e Apelit me bazë në St. Louis.
Plani i zotit Biden ka qenë objekt i disa padive nga prokurorë konservatorë dhe grupe ligjore.
Zoti Pittman, në një vendim prej 26 faqesh argumentonte se një ligj që ofronte ndihmë për kredi për personelin ushtarak dhe që u mor si bazë nga administrata e zotit Biden për të miratuar planin e ndihmës për studentët – nuk autorizonte programin për faljen e kredisë studentore prej 400 miliardë dollarësh .
“Prandaj programi është një ushtrim antikushtetues i pushtetit legjislativ të Kongresit dhe duhet të anulohet,” argumenton zoti Pittman.
Zoti Biden tha në gusht se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të falë deri në 10,000 dollarë borxhe kredie studentore për huamarrësit që marrin më pak se 125,000 dollarë në vit, ose 250,000 dollarë për çiftet e martuara. Studentëve që kanë marrë hua për shkak të të ardhurave më të ulëta do t’u anulohen deri në 20,000 dollarë të borxhit.
Vendimi ishte përmbushja e një premtimi që zoti Biden bëri gjatë fushatës presidenciale 2020 për të ndihmuar ish-studentët e ngarkuar me borxhe. Zyra e Kongresit për Buxhetit llogariti në shtator se falja e borxhit do t’i kushtonte qeverisë rreth 400 miliardë dollarë./VOA