Sipas “The Economist”, në tentativë për të shkaktuar përshkallëzim, Serbia ka gjasë të përpiqet ta imitojë strategjinë që kishte përdorur presidenti rus, Vladimir Putin, kur pushtoi Krimenë në 2014.

 

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “little green men” (në shqip: burra të vegjël në të gjelbër), që në esencë nënkupton futja e ushtarëve në territor të huaj, si të paidentifikuar, e pa i cilësuar si ushtarë që i përkasin atij shteti, në këtë rast Rusisë.

 

Termi “little green men” u përdor për herë të parë kur Federata Ruse pushtoi krahinën e Ukrainës, Krimenë, në periudhën shkurt-mars 2014. Si pasojë, Rusia okupoi Aeroportin Ndërkombëtar dhe ndërtesën e parlamentit në qytetin e Simferopol-it të Krimesë si dhe shumicën e bazave ushtarake të kësaj krahine.

 
 
 

Ky term gjithashtu asocohet me trupat ruse gjatë luftës në Donbas të Ukrainës, pasi Kremlini refuzoi prezencën e trupave ukrainase në rajon. Ata luftuan të veshur me uniforma pa shenja identifikuese ose u maskuan si separatisë pro-rusë.

 

Fillimisht, presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, deklaroi se “burrat me të gjelbër” nuk ishin pjesë e Forcave të Armatosura Ruse por grupe të milicisë vendase që kishin marrë armët e tyre nga ushtria ukrainase.

 

Mirëpo më vonë, në prill të vitit 2014, Putin e pranoi publikisht se këto forca ishin ruse, dhe që kishin intervenuar me pretendimin për t’i mbrojtur banorët lokalë dhe për të krijuar kushte për referendum. Ai po ashtu deklaroi se Forcat e Armatosura Ruse kishin bllokuar ato ukrainase gjatë ndodhive në Krime.

 

The Economist raporton se në veri të Kosovës është shfaqur një e ashtuquajtur “Brigadë e Veriut”.

 

Nuk dihet, megjithatë, nëse kjo është një organizatë sekrete paramilitare apo fushatë për t’i bërë njerëzit të besojnë se ekziston një e tillë. Mirëpo, në territorin e Mitrovicës së Veriut, është parë një shenjë ku thjesht shkruan “Ne po presim!”, që raportohet të jetë në relacion me këtë brigadë.