Nga Ben Domenech, SPECTATOR
Akuza kundër ish-presidentit Donald Trump si pjesë e një hetimi për paratë që i pagoi një aktoreje porno më 2016, godet për disa arsye. Është natyra e saj historike, e paprecedent dhe treguese e përdorimit si armë e njësive qeveritare nga partizanët që i drejtojnë ato. Trump akuzohet se ka pasur një aferë me Stormy Daniels dhe e pagoi atë që të heshtte. Pretendimet – të cilat Trump i ka mohuar dhe thotë se janë ‘persekutim politik’ – janë të dyshimta. Asnjë jurist serioz nuk beson se ato mund të pranohen. Pastaj kemi edhe reagimin nga dy krahët: Demokratët po i afrohen këtij konkluzioni me më pak gëzim se sa solemnitet, me një përqasje shtrëngimi dhëmbësh për zbulimet, për të cilat dikur mund të kishin dalë në rrugë duke kërcyer. Republikanët duket shumë më pak të shqetësuar, ata mendojnë se kjo madje do ta ndihmojë Trump në vend që ta dëmtojë në sytë e elektoratit amerikan.
Është e mundur që secili të gabohet për këtë. Votuesi republikan pa dyshim që mund të rreshtohet përkrah Trump përballë këtij sulmi, por pas Russiagate, dy padive, dhe bastisje së shtëpisë së tij në Mar-a-Lago, sa mund të bëhet më tepër për të bërë solide mbështetjen për të?
Sa për votuesit e pavarur, me siguri që reja e akuzave mund t’ua shuajë përkrahjen, por mes tyre ka edhe njerëz që papritmas e falën Trump për komentin e bërë për gratë, “futuni duart”, regjistrimi i të cilit u transmetua në NBC News.
Për demokratët është e vështirë të armëzohet kjo çështje që po shqyrtohet nga prokurori rajonal i Manhattan-it, Alvin Bragg, pikërisht sepse duket shumë anormale dhe pa baza. Zor se bën punë përkrah mesazhit të tyre më të fuqishëm për mohimin e zgjedhjeve. Në erën post-Bill Clinton, a përbëjnë më krim pagesat për të mbyllur gojën?
Fakti që kjo duket si një çështje partizane, e bazuar mbi një detaj të vogël, ka të ngjarë të udhëheqë narrativën – një arsye pse Henry Olsen shkruan në ‘Washington Post’ se Bragg kishte gabuar me ndjekjen e kësaj çështjeje duke pasur parasysh precedentin që ajo vendos për prokurorët konservatorë në shtetet me preferencë republikane:
“Pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit për Trump apo për faktet e çështjes, nuk është e vështirë të shihet problemi. I gjithë procesi gjyqësor i shtetit të Nju Jorkut kontrollohet nga Demokratë që mund të humbasin pozitat e tyre në primaret partiake. Alvin Bragg, prokurori i qarkut që mbikëqyr çështjen, u mburr gjatë fushatës së tij se kishte paditur Trump ose administratën e tij mbi 100 herë gjatë mandatit të tij në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit, diçka që ai ndoshta e bëri për të marrë votat e atyre që nuk e duan Trump-in. Çdo gjyqtar i shtetit të Nju Jorkut, i cili ose do të gjykonte çështjen ose do të dëgjonte një apel, zgjidhet gjithashtu mbi baza partiake. Do të duhej shumë guxim që gjyqtarët të zbatonin ligjin në mënyrë të drejtë dhe potencialisht të injoronin dëshirën e votuesve të tyre për hakmarrje. Imagjinoni sikur Joe Biden të ndiqej penalisht pas presidencës së tij në një juridiksion me shumicë dërrmuese republikane. Demokratët me të drejtë do të ulërinin nëse një prokuror ambicioz republikan do t'i bënte Biden-it atë që Bragg po i bën Trump-it”.
Çështja John Edwards, rastet e shumta të Clinton-it dhe shumë modele të tjera politike për moszbulim dhe pagesa parash për heshtje kanë ekzistuar për një kohë të gjatë në politikën amerikane.
Në vitin 1920, pasi Warren Harding fitoi nominimin republikan për presidencën, Partia Republikane vendosi që, në vend që të rrezikonte zbulimin e një serie prej qindra letrash dashurie që ai i kishte shkruar fqinjës dhe dashnores së tij Carrie Fulton Phillips, ta dërgonin atë dhe burrin e saj për pushime me të gjitha shpenzimet të paguara në Azi – bashkë me një rrogë të përjetshme.
Çështja është se sado të pahijshme që janë këto gjëra, ato nuk janë të reja – dhe amerikanët, me përjashtime të rralla puritane, nuk janë të interesuar për to. Përfshirja në një sulm të tillë ligjor, historikisht i paprecedent, ndaj një ish-presidenti vendos një standard të ri për atë se sa larg janë të gatshëm të shkojnë partizanët e ligjit – dhe kjo do të rrisë, të paktën në një afat të shkurtër, nivelet e mosbesimit midis votuesve për të gjitha sistemet ku supozohet të kemi besim si qytetarë të këtij vendi.