“Ne e dimë se ishte i koordinuar dhe i sofistikuar”, tha ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier për POLITICO, duke shtuar se personat e armatosur dukej se kishin pasur stërvitje ushtarake. “Sasia e armëve na thotë se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon”.
Ai tha se ShBA-ja nuk kishte arsye të dyshonte se armët dhe pajisjet e tjera të paraqitura nga policia e Kosovës në një konferencë për shtyp të hënën nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes.
“Njerëzit që ne i mbajmë më së shumti përgjegjës janë njerëzit që qëlluan kundër oficerit të policisë së Kosovës”, tha Hovenier.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mohoi se Beogradi ishte i përfshirë në sulm, duke këmbëngulur se ishte vepër e serbëve lokalë të Kosovës të provokuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka shtuar policinë në veri muajt e fundit.
Është e paqartë nëse personat e armatosur kërkuan konfrontimin me policinë e Kosovës të dielën apo po planifikonin një operacion afatgjatë dhe u ndeshën me një skuadër të policisë së Kosovës, thanë zyrtarët perëndimorë.
Pavarësisht mosbesimit të thellë midis Kosovës dhe Serbisë, Hovenieri tha se përpjekjet perëndimore për të arritur paqen duhet të vazhdojnë.
Duke e quajtur incidentin “jashtëzakonisht fatkeq”, ai tha se shpresonte se do të “siguronte stimuj si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për të ndjekur marrëdhënie të mira fqinjësore”.