Nga Ken Bredemeier, Chris Hannas/ Marrë nga Reuters dhe AP/VOA
Shpërthimi masiv ndodh ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bindin Izraelin që të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe përpara vizitës së planifikuar të Presidentit Joe Biden në Lindjen e Mesme.
Hamasi e quajti sulmin e së martës ndaj spitalit "një masakër të tmerrshme", duke thënë se ajo ishte shkaktuar nga një sulm izraelit.
Forca Mbrojtëse e Izraelit tha se militantët palestinezë kishin lëshuar një breshëri raketash pranë spitalit në atë kohë. "Informacionet e zbulimit nga burime të shumta, që i kemi në duart tona tregojnë se Xhihadi Islamik është përgjegjës për lëshimin e dështuar të raketës", thuhet në një deklaratë të Forcës Mbrojtëse të Izraelit.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se është i indinjuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës dhe ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare që të mbledhë informacione për atë që ka ndodhur.
“Jam i indinjuar dhe i trishtuar nga shpërthimi në spitalin Al-Ahli el-Arabi në Gazë, i cili shkaktoi viktima”, tha presidenti Biden përmes një deklarate të martën ndërsa po udhëtonte drejt Izraelit.
"Shtetet e Bashkuara mbështesin mbrojtjen e civilëve gjatë konfliktit dhe ne ndajmë dhimbjen me familjet e pacientëve, personelit mjekësor dhe personave të tjera të pafajshëm, të vrarë ose të plagosur në këtë tragjedi", thuhet në deklaratën e Presidentit Biden.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se është i tmerruar nga vdekja e qindra njerëzve në sulmin ndaj spitalit në Rripin e Gazës.
“Spitalet dhe personeli mjekësor janë të mbrojtura nga ligjet ndërkombëtare”, shkroi Guterres në platformën X.
Hamasi, që është përgjegjës për sulmin terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, në të cilin u vranë 1400 njerëz dhe ka refuzuar të njohë shtetin hebraik, tha se "bashkësia ndërkombëtare dhe vendet arabe dhe islamike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur pushtimin dhe ushtrinë fashiste (të Izraelit)”.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi të martën dënoi përmes një deklarate “sulmin izraelit ndaj spitalit në Gazë”, të cilin e quajti “një shkelje të qartë të ligjeve ndërkombëtare”.
Sulmi u dënua nga perëndimi dhe bota arabe. Pas sulmit u zhvilluan protesta para ambasadave të Izraelit në Turqi, Jordani dhe pranë ambasadës amerikane në Liban.