“Vazhdimi i armëpushimi do të thotë se më shumë pengje do të kthehen në shtëpi dhe më shumë ndihmë do të hynte në Gaza. Është e qartë se kjo është diçka që ne e dëshirojmë. Unë besoj se është diçka që edhe Izraeli e dëshiron," tha ai në takim.
Edhe AFP njoftoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se administrata e Joe Biden do të dëshironte të shihte një zgjatje të re të marrëveshjes së armëpushimit në luftën e Izraelit me Hamasin, pasi të skadojë marrëveshja aktuale, me qëllimin për të siguruar lirimin e pengjeve të tjera të mbajtura nga grupi militant si edhe për të rritur dërgesat e ndihmave humanitare në Gaza.
Teksa përgatitej të bënte vizitën e tij të tretë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës me sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor, Blinken tha të mërkurën se përveç diskutimit të planifikimit afatshkurtër logjistik dhe operacional, administrata Biden beson se është e domosdoshme të diskutohen idetë për qeverisjen e ardhshme të Gazës, nëse Izraeli arrin qëllimin e tij të deklaruar për të zhdukur Hamasin.
Izraeli dhe vendet arabe i kanë rezistuar diskutimeve të tilla për qeverisjen e ardhshme, me zyrtarët izraelitë të përqendruar në luftë dhe udhëheqësit arabë që këmbëngulin se prioriteti i menjëhershëm duhet të jetë përfundimi i luftimeve, të cilatkanë vrarë mijëra civilë palestinezë.