Shtohen kritikat ndaj miliarderit majtist, George Soros se po financon një rrjet organizatash që mbështesin Hamasin.
Sipas një investigimi, Soros ka dhuruar të paktën 15 milionë dollarë për këto organizata joqeveritare.
Ambasadori i Izraelit në OKB, tha për Fox News, se kjo është diçka e turpshme.
“Donacionet e George Soros për organizatat që kërkojnë shkatërrimin e shtetit të Izraelit si shtet hebre, janë të turpshme. Megjithatë, nuk jam i befasuar,” tha ambasadori Gilad Erdan.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1200 persona, mes tyre edhe mbi 30 amerikanë. Hamasi gjithashtu mori më shumë se 200 pengje. Shumë qytetarë amerikanë ishin mes tyre.
“Për vite të tëra, Sorosi ka mbështetur dhe transferuar para për organizatat që duan të izolojnë Izraelin,” shtoi Erdan.
Ky i fundit po udhëheq fushatën diplomatike në OKB për të përshkruar krimet e Hamasit kundër njerëzimit.
“Ata kurrë nuk kanë qenë për paqe të vërtetë apo ndonjë zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez,” tha ai.