Papa: "Sonte Zoti doli në dritë për të ndriçuar jetën tënde dhe sytë e tij shkëlqejnë nga dashuria për ty. Zemra jonë sonte është në Betlehem, ku Princi i Paqes është ende i refuzuar nga logjika humbëse e luftës, me zhurmën e armëve që edhe sot e pengon të gjejë një shtëpi në botë”. Kështu tha mes tjerash Papa gjatë predikimit të Meshës së Natës së Krishtlindjes kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, dhe nënvizoi "kontekstin në të cilin lindi Jezusi e në të cilin fokusohet Ungjilli", shkruan Radio Vatikani
Në bazilikën e Vatikanit, Papa Françesku kryeson Meshën e Shenjtë në Natën e Krishtlindjes. Mendimet e tij shkojnë në tokën ku Zoti u Mishërua dhe ku "ulërima e armëve edhe sot e pengon Atë të gjejë strehim në botë". Papa na fton të adhurojmë Jezusin, Princin e Paqes, i cili "nuk i përmbys padrejtësitë nga lart me forcë, por nga poshtë me dashuri; nuk shpërthen me fuqi të pakufishme, por zbret brenda kufijve tanë; nuk shmang brishtësinë tonë njerëzore, por e merr ata mbi vete"
Homelia e Meshës së Natës së Shenjtë të Lindjes së Krishtit, mbajtur nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan
«Regjistrimi i gjithë tokës» (Lk 2,1). Këto janë rrethanat në të cilat lindi Jezusi dhe në të cilat ndalet Ungjilli. Mund ta kishte përmendur shpejt, ndërsa flet me kujdes. E me këtë krijon një kontrast të madh: ndërsa perandori numëron banorët e botës, Zoti hyn në të pothuajse fshehurazi; ndërsa sundimtarët përpiqen të lartohen mes të mëdhenjve të historisë, Mbreti i historisë zgjedh rrugën e vogëlsisë. Asnjë nga të pushtetshmit nuk kujtohen për të, përveç disa barinjve, të flakur në skutat e jetës shoqërore.
Por regjistrimi thotë më shumë. Në Bibël nuk lë ndonjë kujtim të mirë. Mbreti David, duke u tunduar nga numrat e mëdhenj dhe nga vetëvlerësimi jo i shëndetshëm, kishte rënë në një mëkat të rëndë, duke bërë regjistrimin e popullit. Donte të llogariste forcën e, pas rreth nëntë muajsh, pati numrin e atyre që mund të përdornin shpatën (shih 2 Sam 24,1-9). Zoti u zemërua e popullin e goditi fatkeqësia. Ndërkaq, pikërisht në këtë natë, "Biri i Davidit", Jezusi, pas nëntë muajsh në barkun e Marisë, lindi në Betlehem, në qytetin e Davidit, dhe nuk e dënon regjistrimin, por me përvujtëri lejon të numërohet. Nuk shohim një zot të zemëruar që ndëshkon, por Zotin e mëshirshëm, që mishërohet, që hyn i ligështë në botë, i paraprirë nga kumtimi: “Paqe njerëzve mbi tokë” (Lk 2,14). E
Zemra jonë sonte është në Betlehem, ku Princi i Paqes refuzohet nga logjika e humbur e luftës, me zhurmën e armëve që edhe sot e pengon të gjejë strehë në botë (shih Luka 2:7).
Regjistrimi i tokës mbarë shpreh nga njëra anë komplotin tepër njerëzor që përshkon historinë: atë të një bote që kërkon pushtet e fuqi, famë e lavdi, ku gjithçka matet me sukseset dhe rezultatet, me shifrat dhe me numrat. Është ankthi i shërbimit. Por njëkohësisht, në regjistrim spikat rruga e Jezusit, i cili vjen të na kërkojë përmes mishërimit. Nuk është zoti i dukjes, por Zoti i mishërimit. Nuk i përmbys padrejtësitë nga lart, me forcë, por nga poshtë, me dashuri; nuk hyn me fuqi të pakufishme, por zbret në kufijtë tanë; nuk i shmang brishtësitë tona, por i merr mbi vete!
Vëllezër dhe motra, sonte mund të pyesim veten: në cilin Zot besojmë? Në Zotin e mishërimit, apo në atë të dukjes? Po, sepse ekziston rreziku që t’i jetojmë Krishtlindjet duke pasur në kokë idenë pagane të Zotit, si të ishte zotëri i fuqishëm në qiell; zot, që kërkon fuqinë, suksesin botëror dhe idhujtarinë e konsumizmit. Figurë e rreme e një zoti indiferent e zemrak, që sillet mirë me të mirët e zemërohet me të këqinjtë, e një perëndie të krijuar sipas nesh, që kërkon vetëm të zgjidhë problemet tona dhe të na shpëtojë nga e keqja.
Ndërsa Ai nuk përdor shkopin magjik, ai nuk është zot tregtar i "gjithçkaje të menjëhershme"; nuk na shpëton duke shtypur një buton, por bëhet i afërt për ta ndryshuar realitetin nga brenda. Megjithatë, sa thellë është e rrënjosur tek ne ideja e kësaj bote për një Hyj të largët dhe kontrollues, të ngurtë dhe të fuqishëm, i cili ndihmon popullin e tij të zotërojë mbi të tjerët! Por nuk është kështu: Ai lindi për të gjithë, gjatë regjistrimit të të gjithë tokës.
Të shikojmë, pra, "Hyjin e gjallë dhe të vërtetë" (1 Ts 1,9): Atë, që është përtej çdo llogaritjeje njerëzore dhe, megjithatë, e lejon veten të regjistrohet nga llogaritjet tona; Atë, që e revolucionon historinë, duke jetuar në të; Atë, që na respekton deri në atë pikë, sa na lejon ta refuzojmë; Atë, që e shlyen mëkatin duke marrë përgjegjësinë për të, që nuk e largon dhimbjen, por e shndërron, nuk i heq problemet nga jeta jonë, por i jep jetëve tona shpresë më të madhe se problemet. Ai dëshiron ta rrokë jetën tonë aq saqë, duke qenë i pafund, bëhet i fundëm për ne; i madh, bëhet i vogël; i drejtë, jeton padrejtësitë tona. Këtu është çudia e Krishtlindjes: jo një përzierje ndjenjash lajkatare dhe rehatish të kësaj bote, por një butësi e paparë e Zotit, që e shpëton botën duke u mishëruar. Ne shikojmë Foshnjën e Betlehemit, shikojmë grazhdin e tij, shikojmë skenën e lindjes, të cilën engjëjt e quajnë "shenjë" (Lk 2:12): e është shenja zbuluese e fytyrës së Zotit, i cili është dhembshuri dhe mëshirë, i plotfuqishëm gjithnjë e vetëm në dashuri.
Motra, vëllezër, le të mahnitemi që “u mishërua” (shih Gjoni 1:14). Mishërim: fjalë që kujton brishtësinë tonë dhe që Ungjilli e përdor për të na kujtuar se Zoti hyri thellë në gjendjen tonë njerëzore. Pse u shty kaq shumë? Sepse atij i intereson gjithçka që ka të bëjë me ne, sepse na do deri në atë pikë, sa të na konsiderojë më të çmuar se çdo gjë tjetër. Vëlla, motër, për Zotin që ndryshoi historinë gjatë regjistrimit nuk je numër, por fytyrë; emri yt është shkruar në zemrën e tij. Por ti, duke parë zemrën tënde, shfaqjet tuaja që nuk janë në nivel, botën që gjykon dhe nuk fal, ndoshta po e jeton keq këtë Krishtlindje, duke menduar se nuk po e kalon mirë, me një ndjenjë pakënaqësie për brishtësinë tënde, për rrëzimet dhe problemet tuaja. Por sot, të lutem, lërja nismën Jezusit, i cili të thotë: “Për ty u mishërova, për ty u bëra si ti”. Pse rri i mbylluar në burgun e trishtimit tënd? Ashtu si barinjtë që lanë grigjët e tyre, largohu nga rrethimi i melankolisë sate dhe përqafo butësinë e Zotit-ferishte. Pa maska dhe pa armaturë, hidhi tek Ai shqetësimet tuaja dhe Ai do të kujdeset për ty (shih Ps 55:23): Ai që u mishërua, nuk pret shfaqjet tuaja të suksesshme, por zemrën tënde të hapur dhe besimplotë. Dhe ti në Të do të rizbulosh se kush je: bir i dashur i Zotit, bijë e dashur nga Zoti. Tani mund ta besosh, sepse sonte Zoti doli në dritë për të ndriçuar jetën tënde dhe sytë e tij shkëlqejnë nga dashuria për ty.
Po, Krishti nuk shikon numrat, por fytyrat. Kush, megjithatë, e shikon, ndërmjet shumë gjërave dhe garave të çmendura të një bote gjithmonë të ngarkuar dhe indiferente? Në Betlehem, ndërmjet shumë njerëzve, të pushtuar nga emocioni i regjistrimit, që vinin e shkonin, duke mbushur konviktet dhe bujtinat e duke folur për këtë dhe atë, disa ishin afër Jezusit: ishin Maria dhe Jozefi, barinjtë, pastaj Dijetarët. Të mësojmë prej tyre. I kanë sytë të ngulur mbi Jezusi, zemrat e kthyera nga Ai. Nuk flasin, adhurojnë.
Adhurimi është udha për të mirëpritur mishërimin. Sepse Jezusi, Fjala e Atit, mishërohet në jetën tonë. Të bëjmë edhe ne si në Betlehem, që do të thotë "shtëpia e bukës": të rrimë para Atij, që është Buka e jetës. Të rizbulojmë adhurimin, sepse të adhurosh nuk do të thotë të humbasësh kohë, por ta lejosh Zotin të banojë në kohën tonë. E të bëjmë të lulëzojë në shpirtin tonë fara e mishërimit, bashkëpunimi në veprën e Zotit i cili, si tharmi, e ndryshon botën. E kjo do të thotë të ndërmjetësosh, të riparosh, ta lejosh Zotin të drejtojë historinë. Një tregimtar i madh i veprave epike i pati shkruar të birit: «Po të jap të vetmen gjë të madhe që meriton të duhet mbi këtë tokë: të Shenjtnueshmin Sakrament. Aty do të gjesh hijeshinë, lavdinë, nderin, besnikërinë dhe rrugën e vërtetë të të gjitha dashurive tuaja mbi tokë” (J.R.R. TOLKIEN, Letra 43, Mars 1941).
Sonte dashuria e ndryshon historinë. Premto, o Zot, të besojmë në fuqinë e dashurisë sate, kaq të ndryshme nga pushteti i botës. Ndihmona të mblidhemi rreth Teje, si Maria, Jozefi, barinjtë dhe dijetarët, për të të adhuruar. Të bërë nga Ti më të ngjashëm me Ty, do të mund t’i dëshmojmë botës bukurinë e fytyrës sate!