Ish-presidenti amerikan, Donald Trump bëri thirrje për shkarkimin urgjent të Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin, pasi ky i fundit u shtrua në spital pa vënë në dijeni Shtëpinë e Bardhë.
Kandidati kryesor i republikanëve tha se Austin duhet të pushohet menjëherë për sjellje të papërshtatshme profesionale dhe braktisje të detyrës.
“Ai është zhdukur për një javë dhe askush, përfshirë shefin e tij, të pandershmin Joe Biden, nuk kishte asnjë të dhënë se ku mund të ishte Austin,” shkroi Trump.
“Ai ka performuar dobët dhe duhej të ishte shkarkuar me kohë së bashku me ‘gjeneralin’ Mark Milley, për shumë arsye, por në veçanti për dorëzimin katastrofik në Afganistan, mbase momenti më i sikletshëm në historinë e vendit tonë,” shtoi Trump.
Por Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka ndërmend të kërkojë dorëheqjen e Lloyd Austin, edhe pse nuk ishin në dijeni se ai ishte shtruar në spital.
Austin u shtrua në spital më 1 janar dhe detajet për gjendjen e tij shëndetësore mbeten të paqarta.
Mediat amerikane raportojnë se as zëvendësja e tij nuk kishte informacione për shtrimin e tij në spital.
Republikanë të tjerë përveç Trump kanë shtuar thirrjet për dorëheqjen e tij duke kërkuar informacione se si ka mundësi që Biden nuk ishte në dijeni për shtrimin e tij në spital.