Nga Sali Berisha/
Të dashur miq, me keqardhje lexova lajmin e papritur të vdekjes së liderit opozitar, Navalny, zërit me te fuqishëm kritik dhe më guximtar kundër Vladimir Putinit dhe regjimit të tij autoritar. Pasi e helmoi me Novichok në vitin 2020 dhe e burgosi, pas kthimit të tij nga Gjermania ku i shpëtuan jetën Alexei Navalny njohu izolime të gjata dhe trajtime çnjerëzore nga regjimi i Putinit i cili nuk toleron dot kundërshtarët politik, dhe deri mënyrën ta eliminojë për të shpëtuar prej tij.
Vdekja e tij e parakohshme dhe e paralajmëruar rrugëtimi i tij i vështirë, burgosja dhe denigrimi çnjerëzor, tregon fytyrën e vërtetë dhe rrezikun që mbartin regjimet dhe liderat autoritarë si Vladimir Putin, por mbi të gjitha tregojnë vlerat e paçmueshme të luftëtarëve të lirisë. Alexei Navalny ishte i tillë, një luftëtar lirie, një kolos i cili nuk u përkul kurrë, në asnjë moment, nuk bëri kompromis dhe i qëndroi besnik të vërtetës, deri në frymën e fundit.
Le të jetë kjo një kambanë alarmi për potencialin e së keqes që liderët e ngjashëm me Putinin në Ballkan, Evropë dhe në botë kanë në thelb. Ngushëllimet e mija shkojnë për familjen e Alexei Navalny, të afërmit e tij dhe duke dënuar me forcën më të madhe të gjitha qëndrimet çnjerëzore të Putinit ndaj tij, ju bëjë thirrje të gjitha instancave të OKB dhe institucioneve ndërkombëtare që të hetojnë lidhur me shkaqet që çuan drejt vdekjes së tij dhe të ndëshkojnë autorët dhe sponsorizuesit e vdekjes së tij misterioze. #sb