Ligjvënësit nga të dyja anët e politikës amerikane dënuan menjëherë atentatin ndaj kandidatit të pritshëm republikan për president, Donald Trump, gjatë një tubimi të shtunën.
"Ky akt i tmerrshëm dhune politike në një tubim paqësor fushate nuk ka vend në vendin tonë dhe duhet të dënohet unanimisht dhe me forcë," tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.
Senatori republikan, Marco Rubio, një nga personat e përmendur si kandidat i mundshëm i zotit Trump për nënpresident, shkroi në platformën "X" duke postuar një fotografi të agjencisë AP të zotit Trump të gjakosur me komentin "Zoti e mbrojti Presidentin Trump".
Edhe Senatori republikan, Ted Cruz, e postoi foton në "X", duke e quajtur reagimin e zotit Trump "të jashtëzakonshëm”.
“Zoti e bekoftë Presidentin Trump", u shpreh ai.
Udhëheqësit demokratë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve dënuan menjëherë dhunën politike.
"Është e tmerrshme ajo që ndodhi në tubimin e zotit Trump në Pensilvani dhe jam i lehtësuar që ish-Presidenti Trump është mirë. Nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë," tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, në platformën "X".
Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, shkroi në "X": "Amerika është demokraci. Dhuna politike e çfarëdo lloji nuk është asnjëherë e pranueshme".
Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, u shpreh: "Sot, të gjithë amerikanët ndihen të lehtësuar që Presidenti Trump duket se është mirë pas një sulmi të neveritshëm gjatë një tubimi paqësor. Dhuna nuk ka vend në politikën tonë."