Bosi dhe bashkëthemeluesi i kartelit të Sinaloas, Ismael “El Mayo” Zambada u arrestua të enjten nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas, bashkë me djalin e madh të ortakut të tij, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Arrestimi i bujshëm u njoftua nga autoritetet amerikane, duke shënuar një kapitull të ri në luftën kundër grupeve të organizuara kriminale që trafikojnë lëndë narkotike në Shtetet e Bashkuara.
Por mediat amerikane raportojnë se arrestimi i “El Mayo”-s erdhi pas bashkëpunimit të djalit të “El Chapo”-s, Guzman Lopez, me autoritetet amerikane.
Sipas “New York Times” dhe “Wall Street Journal”, Zambada u mashtrua pikërisht nga Guzman për të hipur në një avion privat, për të parë disa pista në Meksikë, nga ku do të niseshin avionët e mbushur me drogë, drejt Shteteve të Bashkuara. Por në fakt avioni përfundoi në El Paso, ku e prisnin agjentët e Sigurisë Kombëtare dhe të FBI-së.
Gjithashtu, “Fox News” raportoi se djali i “El Chapo”-s tradhtoi ortakun dhe mikun e vjetër të babait të tij, pasi mendonte se “El Mayo” ishte përgjegjës për arrestimin e babait të tij.
Zambada bënte një jetë të qetë në Meksikë, ndryshe nga jeta luksoze e “El Chapo”-s. Raportohet se ai ishte në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet amerikane për t’u dorëzuar, por kurrë nuk e bëri këtë. Në një intervistë të rrallë mediatike në vitin 2010, “El Mayo” citohet të ketë thënë se “do të vras veten para se t’i dorëzohem policisë”.
Guzman Lopez pritet të transferohet në Çikago, aty ku do të zhvillohet gjyqi kundër tij, ndërsa Zambada do të shkojë në Nju-Jork.