Akuzohet se do të vriste Trump, ja kush është pakistanezi i paguar nga Irani

E mërkurë, 07 August 2024 21:42
 

Një pakistanez që kishte lidhje me Teheranin, duket se ishte në qendër të një komploti nga Irani për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump. Ai akuzohet gjithashtu se synonte të vinte në shënjestër edhe politikanë dhe zyrtarë të tjerë të profilit të lartë.

Departamenti i Drejtësisë bëri publike të martën akuzat kundër 46-vjeçarit Asif Merchant dhe tha se ai erdhi në Shtetet e Bashkuara në prill, në kërkim të vrasësve me pagesë. Por sipas kallëzimit penal, komploti dështoi, pasi personi të cilin Merchant e kontaktoi në përpjekje të realizimit të planit, iu drejtua organeve të rendit.

“Ky komplot i rrezikshëm për vrasje me pagesë dyshohet se është orkestruar nga një shtetas pakistanez me lidhje të ngushta me Iranin dhe është në përputhje me mënyrën se si vepron Irani”, tha në një deklaratë drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

“Një komplot i organizuar nga jashtë për të vrarë një zyrtar publik, apo çdo qytetar amerikan, përbën kërcënim për sigurinë tonë kombëtare dhe do të përballet me përgjigjen e fuqishme të FBI-së”, tha ai.

Akuza penale e bërë publike në Nju Jork nuk identifikon ndonjë objektiv konkret për komplotin e të dyshuarit Merchant, por vjen vetëm disa javë pasi zyrtarët amerikanë thanë se kishin rritur sigurinë për ish-presidentin për shkak të një kërcënimi të lidhur me Teheranin. 

Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve tha të martën se bëhet fjalë për të njëjtin kërcënim.

“Isha informuar më parë në lidhje me kërcënimin iranian dhe rrethanat e arrestimit të zotit Merchant dhe e pyeta drejtoreshën e atëhershme të Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle nëse e kishte shqyrtuar informacionin e zbulimit në lidhje me kërcënimin iranian,” tha ligjvënësi republikan Mike Turner në një deklaratë.

“Ajo konfirmoi se e kishte analizuar informacionin dhe ishte në dijeni të këtij komploti iranian për vrasje me pagesë”, shtoi zoti Turner, duke iu referuar një seance në Kongres më 22 korrik, ku zonja Cheatle dëshmoi mbi dështimin e Shërbimit Sekret për të parandaluar një atentat ndaj zotit Trump më 13 korrik në një tubim fushate në Pensilvani, i cili nuk kishte lidhje me kërcënimin iranian.

Akuzat e së martës janë të fundit mes një vale në rritje komplotesh të parandaluara që kanë pasur në shënjestër amerikanët dhe kundërshtarë të tjerë të Iranit në tokë amerikane.

Janarin e kaluar, SHBA akuzoi tre persona, njëri prej të cilëve me bazë në Iran, për një komplot për vrasjen e dy persona me banim në shtetin e Merilendit.

SHBA ka ngritur gjithashtu akuza për komplote që kishin në shënjestër Masih Alinejadin, një aktiviste iraniano-amerikane e të drejtave të njeriut dhe drejtuese e një emisioni televiziv të shërbimit iranian të Zërit të Amerikës, si edhe një plan për vrasje me pagesë që kishte në shënjestër ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, ambasadorin John Bolton.

Shumë nga kërcënimet e fundit, përfshirë ato që kishin në shënjestër zotin Bolton dhe zotin Trump, lidhen me përpjekjet e Teheranit për t’u hakmarrë ndaj sulmit me dron në janar 2020 në Bagdad që vrau Qassem Soleimanin, udhëheqësin e Forcës Quds të Gardës Revolucionare Islamike iraniane, që ishte urdhëruar nga ish-Presidenti Trump.

“E kemi thënë në mënyrë të përsëritur se kemi ndjekur me kujdes kërcënimet iraniane kundër ish-politikanëve. Kemi qenë shumë të qartë për këtë,” u tha gazetarëve të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

“Ne e konsiderojmë këtë një çështje të sigurisë kombëtare të përparësisë më të lartë. Kemi investuar burime të jashtëzakonshme për informacione në lidhje me këto kërcënime, frenimin e individëve të përfshirë në këto kërcënime, rritjen e masave mbrojtëse për objektivat e mundshëm të këtyre kërcënimeve, angazhimin me partnerët e huaj dhe kemi paralajmëruar drejtpërdrejt Iranin”, tha zonja Jean-Pierre.

Avokati i caktuar nga gjykata për mbrojtjen e të pandehurit në këtë komplot të fundit që kishte në shënjestër zotin Trump dhe të tjerë, nuk pranoi të komentojë kur u kontaktua nga Zëri i Amerikës.

US charges Pakistani man with ties to Iran in alleged plot to assassinate Trump – India Today

Por sipas dokumenteve të akuzës, Merchant udhëtoi në prill nga Pakistani në Turqi dhe më pas në Hjuston të Teksasit, pasi qëndroi rreth dy javë në Iran.

Pasi mbërriti në SHBA, thuhet në padi, Merchant filloi menjëherë të rekrutonte individë për të vënë në jetë planin, duke i thënë informatorit që njoftoi autoritetet se mund të fitonte deri në 100,000 dollarë dhe se skema kishte në shënjestër disa individë.

“Njerëzit që do të vihen në shënjestër po dëmtojnë Pakistanin dhe botën, si edhe (botën) muslimane. Këta nuk janë njerëz normalë,” ishte shprehur Merchant, sipas dokumenteve të akuzës.

Plan me tre faza

Gjatë takimeve në Nju Jork në qershor, Merchant dyshohet se përpiloi një plan me tre pjesë që përfshinte vjedhjen e dokumenteve ose dosje elektronike nga shtëpia e një objektivi, planifikimin e protestave dhe më pas vrasjen e objektivave në territorin amerikan.

Merchant akuzohet se u ka dhënë dy agjentëve të fshehtë që ishin paraqitur si vrasës një pagesë paraprake prej 5000 dollarësh në fund të qershorit për të kryer komplotin, duke u thënë se do t’u dërgonte më shumë para pasi të kthehej në Pakistan.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në SHBA e arrestuan të akuzuarin Merchant më 12 korrik, përpara se ai të mund të largohej nga SHBA.

“Për vite me radhë, Departamenti i Drejtësisë ka punuar në mënyrë agresive për të t’iu kundërpërgjigjur përpjekjet e pandërprera të Iranit për t’u hakmarrë kundër zyrtarëve publikë amerikanë për vrasjen e gjeneralit iranian Soleimani”, tha në një deklaratë të martën Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

“Departamenti i Drejtësisë nuk do të kursejë asnjë burim për të parandaluar dhe për të mbajtur përgjegjës ata që donin të kryenin komplotin vdekjeprurës të Iranit”, tha ai.

Zyrtarët amerikanë parashikojnë se Teherani nuk do t’i ndalë përpjekjet për hakmarrje.

“Duhet ta kemi të qartë se regjimi iranian është i pamëshirshëm. Unë parashikoj më shumë përpjekje të tilla”, u tha Drejtori i FBI-së Wray ligjvënësve amerikanë gjatë një seance në fund të muajit të kaluar.

Dhe disa ekspertë paralajmërojnë se edhe nëse disa nga përpjekjet iraniane duken si amatoreske, ato duhet të merren seriozisht.

“Nga njëra anë, disa prej tyre mund të tingëllojnë si primitive ose jorealiste, por nga ana tjetër këmbëngulja e pandalshme (për t’i ndërmarrë ato) është shqetësuese”, thotë për Zërin e Amerikës Behnam Ben Taleblu, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington.

“Kam frikë se ata do të bëjnë gjithçka që munden me shpresën që ndonjë nga përpjekjet e tyre të jetë e suksesshme”, thotë ai. 

Login to post comments