Lojërat Olimpike të Parisit ulën siparin këtë të dielë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që rezultuan vendi më i suksesshëm ndërsa parakaluan në renditjen Kinën në momentin e fundit të garave.
Garat e Lojërave Olimpike u mbyllën me finalen e basketbollit të femrave mes SHBA dhe Francës. Ekipi i femrave të SHBA fitoi me rezultatin 67-66 duke marrë medaljen e artë.
Një medalje që i duhej për t’u konfirmuar e pakalueshme në këtë eveniment, për t’i siguruar SHBA-së vendin e parë në renditjen e përgjithshme për herë të katërt radhazi në Lojërat Olimpike.
Para kësaj ndeshje, ishte Kina që regjistronte 40 medalje të arta ndaj 39 të SHBA në Paris 2024. Por me fitoren e ekipit të femrave të basketbollit, SHBA barazoi Kinën për të arta, teksa mori kreun e klasifikimit falë 44 medaljeve të argjendta ndaj 27 që kanë siguruar aziatikët.
Kështu, SHBA dominon tabelën për të katërtin edicion radhazi të Lojërave Olimpike, duke ndaluar rikthimin e Kinës në majë për herë të parë që pas Pekin 2008.
Në vendin e tretë është renditur Japonia me 20 medalje të arta, e ndjekur nga Australia me 18 dhe Franca me 16.
Ndërkohë, Shqipëria largohet nga Parisi me dy medalje të bronzta.
Pas suksesit historik të Chermen Valiev, që theu tabunë shekullore 1 ditë më parë, Islam Dudaev rishkruajti historinë, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje, e dyta në historinë e Shqipërisë.