Athinë - Helikopterët po hedhin ujë vazhdimisht në verilindje të Atikës, ku zjarret kanë dalë jashtë kontrollit. Aty operojnë 560 zjarrfikës, 16 ekipe pyjore, 177 automjete dhe 32 njësi ajrore me 17 avionë dhe 15 helikopterë.
Një zjarr që shpërtheu në verilindje të Athinës të dielën është përhapur në malin Penteli, në veri të kryeqytetit grek, duke nxitur evakuimin e disa vendbanimeve, njofton Kathimerini.
Zjarri që lëviz me shpejtësi, i nxitur nga kushtet e nxehtësisë dhe erës, ka shkatërruar tashmë pemë, shtëpi dhe automjete dhe ka ngritur re të dendura tymi mbi qytet.
Mbrojtja Civile lëshoi alarmin e urgjencës 112 për banorët e Palaia Penteli, Melissia, Politeia, Ekali, Drafi dhe Nea Erythrea në orën 4:52 të mëngjesit, duke i udhëzuar ata të jenë në gatishmëri të lartë.
Një mesazh vijues në orën 5.10 të mëngjesit këshilloi banorët e Nea Pentelit të evakuoheshin drejt Melisës dhe ata në Palaia Penteli të lëviznin drejt Vrilissia.
Tre minuta më vonë, një mesazh i ri i udhëzoi banorët e Drafit, Dionit dhe Damarasit në Rafina të evakuoheshin drejt Marathonos Avenue.
Nga ora 05:40 është dhënë një tjetër alarm për banorët në Daou Penteli dhe Agios Spiridonas, duke i udhëzuar ata të drejtohen drejt Rafinës.
Banorët e Anthoussa-s u këshilluan të ishin në gatishmëri me një mesazh të dërguar në orën 05:45, në orën 6:30 të mëngjesit, banorët e vendbanimit Anatoli u udhëzuan të lëviznin drejt Nea Makrit.
Spitali i Fëmijëve Penteli dhe Spitali Ushtarak 414 janë evakuuar gjithashtu, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve Vassilis Vathrakogiannis.
“Më thanë të largohesha; situata është jashtë kontrollit. Brenda shtëpisë ka bombola gazi dhe një rezervuar vaji. Është rezidenca ime e përhershme, rezultat i një pune të palodhur gjatë gjithë jetës”, tha për “Kathimerinin” një banor i Rapendosës, i cili pa shtëpinë e tij të përfshirë nga flakët.
Zjarret i afrohen Athinës, nis evakuimi urgjent i mijëra banorëve