Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të emërojë Robert Jr Kennedy në krye të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Kjo agjenci ka një shtrirje të gjerë, që nga mbikëqyrja e ilaçeve, vaksinave dhe sigurisë ushqimore, e deri tek kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë dhe programet e kujdesit shëndetësor.
“Për një kohë të gjatë, amerikanët janë dëmtuar nga industria ushqimore dhe e prodhimit të ilaçeve, të cilat janë përfshirë në manipulime, keqinformime dhe dezinformime kur bëhet fjalë për shëndetin publik. Kennedy do ta bëjë Amerikën përsëri të madhërishme dhe të shëndetshme”, tha Trump.
Kennedy, një ish demokrat që kandidoi si i pavarur në garën presidenciale të këtij viti, i dha fund fushatës së tij dhe u rreshtua përkrah Donald Trump me premtimin për të patur një rol në politikën shëndetësore të administratës së ardhshme republikane.
Një skeptik i hershëm ndaj vaksinave, Kennedy ka punuar në dekada si avokat duke fituar mbështetje për punën e tij për mjedisin dhe artikujt ushqimor.
Qëndrimi Kennedy ndaj vaksinave e ka bërë atë një figurë të debatueshme mes demokratëve dhe disa republikanëve, çfarë ngre pikëpyetje në lidhje me mundësinë e marrjes së konfirmimit në Senatin e kontrolluar nga republikanët.