Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulme të tilla si ai i 29 nëntorit në veri të vendit, po vijnë pasi serbët që po i kryejnë këto akte, e kanë humbur betejën me Kosovës.
Sipas tij, ata nuk posedojnë më veriun, e nga nervoza edhe veprojnë me akte kriminale. “Këto sulme u ndodhin edhe vendeve të zhvilluara demokratike perëndimore, madje do thosha edhe më shumë se neve, por imagjinata terroriste, kriminale, e sponsorizuar nga një shtet që është më i madh se i yni, e me traditë të gjatë e të gjerë të kësoj lloj sulmesh, e që e ka për aleat të ngushtë superfuqinë më problematike botërore sot, Federatën Ruse, e kanë bërë këtë gjendjen të cilën ne ndodhemi. Pikërisht për shkak se e kanë humbur kontrollin me struktura paralele, me grupe kriminale, tash nga nervoza i rrisin aksionet e këtilla terroriste”, u shpreh Kurti.
“Meqenëse nuk e posedojnë më veriun e Kosovës, atëherë dëshirojnë të thonë se nuk do t’ju lëmë rehat. Kjo tregon se ata kanë humbur, mirëpo ata nuk duan që ne të fitojmë, që ne të jetojmë”.