Koreja e Veriut thotë se ka pezulluar provat bërthamore dhe ato me raketa me rreze të gjatë veprimi. Ajo njoftoi gjithashtu se planifikon të mbyllë objektin e saj të provave bërthamore.
Agjencia zyrtare koreane e lajmeve e Koresë së Veriut tha se pezullimi i provave bërthamore dhe atyre me raketa balistike hyn në fuqi të shtunën.
Sipas njoftimeve, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un tha se vendi nuk ka më nevojë për prova të tilla.
Pheniani tha se po e ndërmerrte këtë hap për ta përqendruar vëmendjen tek përmirësimi i ekonomisë.
Njoftimi vjen disa ditë përpara se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të takohet me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në një fshat kufitar për një takim të rrallë të nivelit të lartë që synon zgjidhjen e konfrontimit bërthamor me Phenianin.
Vendimet e Veriut u shpallën në një takim të Komitetit Qendror të partisë në pushtet, të mbledhur për të diskutuar rreth një "faze të re" të politikave./zeriiamerikes