I vendosur që të ruajë momentin e rrallë të paqes së shumëdëshiruar në Gadishullin Korean, Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, do të takohet me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, mes shqetësimeve se samiti historik mes tij dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un po rrethohet nga paqartësi të mëdha dhe rrezikohet seriozisht.
Takimi duhet të mbahet në Singapor muajin e ardhshëm, por sinjalet që mbërrijnë nga Uashingtoni dhe Peniani tregojnë se Kimi dhe Trumpi kanë përplasje mbi termin “denuklearizim”.
Koreja e Veriut ka kërcënuar të tërhiqet nga bisedimet nëse zyrtarët amerikanë nuk zbrapsen nga linja e ashpër e pozicionit të tyre negociues.
Moon Jae-in pritet t’ia përcjellë shefit të administratës amerikane shqetësimin e tij.
Trumpi, sipas “New York Times”, është befasuar dhe zemëruar nga deklarata e një zyrtari të lartë koreano-verior, i cili tha javën e kaluar se regjimi i atjeshëm nuk do të bëjë pazar me programin e tij atomik dhe nuk do të pajtohet me një rezultat të njëanshëm të samitit të parashikuar të mbahet në 12 qershor.
Amerikanët e kanë deklaruar vazhdimisht se presin që Koreja e Veriut të pranojë në takim çarmatimin e saj të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm, sepse Uashingtoni nuk do të pranojë asgjë më pak se kaq.