Ariana Grande ka qenë e para që nëpërmjet një mesazhi në “Twitter” ka rikujtuar viktimat e masakrës së Manchesterit të Britanisë së Madhe.
“Me mendjen te ju të gjithë”, shkruante këngëtarja përpara kësaj të marte, kur do të shënohet edhe përvjetori i parë i atij sulmi, që la 22 persona të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur, në momentin kur Salman Abedi do të aktivizonte bombën në përfundim të një prej koncerteve të saj të 22 majit 2017.
Sot për të përkujtuar ngjarjen do të mbahet një shërbesë në Katedralen e Manchesterit, në orën 14 me atë britanike. Ndërkohë në orën 14:30 do të mbahet një minutë heshtjeje kombëtare në nder të viktimave.
Kryebashkiaku i Greater Manchester, Andy Burnham shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për cilindo të prekur nga ai shpërthim fatal. ”Sot mblidhemi bashkë për të rikujtuar secilin prej 22 personave, jetët e të cilëve u morën përpara kohe”.
Kryeministrja Theresa May dhe Princi William do t’iu bashkohen familjeve të viktimave dhe punonjësve të emergjencave, të cilët shkuan në ndihmë të të prekurve.
Njerëzit e thjeshtë do të mund të shohin shërbesën kishtare në një ekran gjigant të vendosur në kopshtin e Katedrales, por edhe në ekranet e York Minster, Katedralen metropolitane të Liverpoolit dhe atë të Glasgoët.
Një tjetër shfaqje, “Manchester Together ëith One voice” do të mbahet mes orës 19 dhe 21, e do të mbledhë koret e qytetit dhe përtej tij. Gjysmëorëshi i fundit do të jetë më pas një transmetim i drejtpërdrejt në BBC Radio Manchester.