Kryeministrja britanike, Theresa May tha sot se qeveria britanike ka ndërmarrë “hapa të konsiderueshme” në luftën kundër rrjedhës së parave të paligjshme. Ajo foli për këtë çështje pasi një komision i parlamentit britanik nxorri një raport sipas së cilit qeveria britanike ka mbyllur një sy ndaj rolit të qendrës financiare të Londrës, në pastrimin e parave të korrupsionit rus.
Zonja May tha se përmes ligjit për financat nga krimi, organet e rendit do të kenë “më shumë kompetenca”. “Kur flasim për para të aktivitetit kriminal, natyrisht që flasim edhe për masa të agjencive të rendit dhe ata duhet ta bëjnë këtë në mënyrë të pavarur. Kemi siguruar që ato të kenë më shumë pushtet për t’u marrë me këto çështje”, tha ajo. Komisioni i Parlamentit Britanik për Marrëdhëniet me Jashtë thotë në raportin e tij se pavarësisht nga retorika e ashpër lidhur me sulmin me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus në Britani, Sergei Skripal në fillim të këtij viti, aleatët e Presidentit Vladimir Putin kanë qenë në gjendje të vazhdojnë aktivitetin e tyre si normalisht në vend, gjë që ndihmon Kremlinin të financojë politikën e vet të jashtme agresive.
Në raport thuhet se “përdorimi i Londrës si bazë për pronat e korruptuara të individëve të afërt me Kremlinin është tani i lidhur me strategjinë më të gjerë të Rusisë që ka pasoja për sigurinë kombëtare të Britanisë”. Mosveprimi përçon sinjalin se Britania “nuk po i bën ballë me seriozitet spektrit të plotë të masave offensive të Presidentit Putin”, thotë komisioni.
"Përmasat e dëmit që mund të sjellin ‘këto para të pista’ për interesat e e politikës së jashtme britanike janë shumë më të mëdha sesa përfitimet nga transaksionet ruse në qytet”, tha kryetari i Komisionit, Tom Tugendhat.
Kremlini reagoi duke thënë se raporti për para “të pista” ruse ishte një tregues i histerisë rusofobike në Britani dhe konkurrencës së pandershme kundër biznesit rus. Raporti kritikon në mënyrë të veçantë një nga firmat më prestigjioze ligjore të Britanisë, Linklaters, lidhur me punën e saj për kompanitë ruse pranë Putinit, duke thënë se është “përfshirë aq shumë në korrupsionin e Kremlinit dhe përkrahësve të tij saqë nuk është më në gjendje që të plotësojë më standardet e pritshme nga një firmë ligjore që punon nën rregullat e Britanisë”.
Linklaters tha se ishte "shumë e befasuar dhe e shqetësuar” nga kritikat dhe hodhi poshtë çdo sugjerim se mund të jetë përfshirë në aktivitete korrupsioni.