×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 61

Synimet franceze ndaj naftës libiane/ Pse Sarkozy e vrau Gaddafin...

Tuesday, 29 May 2018 10:09

Synimet franceze ndaj naftës libiane. Nganjëherë gjërat janë shumë më të thjeshta nga sa mendohen

Misioni i NATO-s në Libi sigurisht që nuk është ndonjë gjë e re, pasi është dëshiruar nga qeveria franceze e Presidentit të atëhershëm Nicolas Sarkozy, që pak ditë pas shpërthimit të revoltave kërkoi një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të marrë masat e nevojshme ndaj represionit të ushtruar kundër rebelimeve nga ana e regjimit të Muammar Gheddafi. Për shumë, një ngut që zbulonte motivacione të diktuara nga kalkulime të thjeshta të brendshma më shumë sesa vullnet real për t’i dhënë fund veprimit gjakatar të filluar nga Raisi libian. Zgjedhjet e afërta dhe popullariteti në rënie drastike i Presidentit, nevoja për ta zgjeruar fetën petrolifere të Përtejalpeve dhe vullneti për t’i dhënë fund traktatit të “bezdisshëm” të miqësisë dhe bashkëpunimit italo – libian të 2008 janë vetëm disa prej objektivave që e kanë shtyrë Francën të veprojë në Libi. Vlen të bëhet një hap prapa. Tensionet midis Kolonelit dhe Parisit janë të vjetra, mjafton të kujtosh kontrastet në luftën e gjatë me Çadin, që ka vazhduar gjatë gjithë viteve ‘80 dhe e kulmuar në atentatin e vitit 1989 kundër avionit DC 10 të kompanisë franceze UTA, i shpërthyer në qiejt e Nigerit duke vrarë 170 persona.

Ardhja e Sarkozy në Elize dukej sikur i paraprinte një faze të re hapjesh me vendet e bregut jugor të Mesdheut, përfshi këtu edhe Libinë. Emblematik roli i luajtur nga Presidenti francez dhe nga bashkëshortja e atëhershme e tij Cecilia për lirimin e 5 infermiereve bullgare, fillimisht të dënura me vdekje e më pas me burgim të përjetshëm me akuzën se kishin infektuar 400 fëmijë me virusin HIV në spitalin El-Fathi të Bengasi. Pas 8 vitesh burg, infermieret u lëshuan në korrikun e 2007 edhe falë ndërmjetësimit të çiftit të Elizeut që kishte shkuar shumë herë në Libi për të folur me Gheddafi dhe me të bijën e dashur të tij Aisha. Loja u fitua nga Franca kundër Romano Prodi, që ishte shpenzuar që të arrinte një zgjidhje diplomatike për “incidentin”. Disa muaj më vonë, midis njëmijë polemikave, Gheddafi e kishte ngritur tendën e tij berbere përpara Elizeut, duke firmosur kontrata për mbi 10 miliard dollarë që do t’i mundësonin Francës t’i shiste një flotë të tërë ajrore luftarake, e prodhuar nga kolosi i aeronautikës franceze Dassault dhe një megainvestim për të ndërtuar centrale bërthamore në Tripoli dhe rrethinat e tij. Në valën e raporteve të riqepura midis Francës dhe Gheddafi, banka Paribas kishte blerë në fundin e 2010 19% të libianes “Sahara Bank”, me një rritje të kapitalit të filiales franceze “BNP Paribas” në Libi baraz me 146% të fondeve të mëparshme në dispozicion dhe me garancinë e operacioneve. Nga ana tjetër, ka pak për t’u habitur. Franca i shet armë Gheddafi qysh nga vitet ’70, siç bëjnë edhe shumë vende të tjera, midis të cilave edhe Italia.

Në janarin e 1970 Parisi nënshkroi një kontratë me qeverinë e Tripoli për dhënien e një avioni jet mirage. Qe fillimi i një raporti të frytshëm që, midis ulje ngritjeve të shumta, ka vazhduar për shumë vite. Megjithatë, fërkimet nuk u zhdukën. Libia nuk hiqte dorë nga ndërhyrja në grindjet afrikane, shpesh në prizmin antifrancez, nga konflikti në Sierra Leone deri në ndërhyrjet paqëtuese në Darfour, Kenya, Niger dhe Mali. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, Raisi kishte refuzuar që të futej në projektin e madh francez të Bashkimit për Mesdheun, i konsideruar një formë e re kolonializmi. Jo vetëm kaq, për lideri libian nuk i kishte përmbushur kurrë detyrimet e marrëveshjes së 2007, duke preferuar të respektonte Traktatin Italo – Libian, falë të cilit fuste në xhep çeqe vjetore prej 250 milion dollarësh për t’i shpenzuar në vepra infrastrukturore, të gjitha në përfitim të kompanive italiane.

Megjithatë Sarkozy i kishte provuar të gjitha, duke përfshirë deri edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të gatshme që të stërvitnin pilotët libianë për avionët francezë “Rafale” dhe për të bashkëfinancuar operacionin duke rinovuar flotën e vet me tashmë të përmendurën Dassault.

Pastaj do të ndodhte edhe çështja e monedhës panafrikane. Në një prej emailave të dërguar Hillary Clinton dhe të botuara nga DASH-i me 31 dhjetor 2015, midis gjërave të tjera, funksionari Sidney Blumenthal zbuloi se Gheddafi donte të zëvendësonte frangën Cfa, e përdorur në 14 ish koloni, me një tjetër monedhë panafrikane, një iniciativë që rrezikonte të krijonte pavarësinë ekonomike e Afrikës Veriore me valutën e re. Një tjetër motiv i mundshëm i ndërhyrjes franceze del disa vjet pas vdekjes së Raisit. Me 6 mars të vitit 2015 ish Ministri i Brendshëm Claude Gueant, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Nicolas Sarkozy, është vënë në gjendje ndalimi në kuadër të hetimeve lidhur me financimet e supozuara të Gheddafi për fushatën presidenciale që çoi “Sarkò” në Elize në 2007. Ndoshta edhe për këtë, i ndjerë si i goditur prapa krahëve, në një intervistë të dhënë Fausto Biloslavo për “Il Giornale”, Koloneli deklaroi: “Mendoj se Sarkozy ka një problem çrregullimi mendor. Ka thënë gjëra që mund të dalin vetëm nga një i çmendur”. Së fundi, ai që i ka dhënë stimul të mëtejshëm ndërhyrjes franceze në Libi ka mundësi të ketë qenë edhe vullneti i Francës për të riforcuar influencën e saj politike në rajon, duke promovuar imazhin e një vendi jo më në pazar me autokratët e vjetër, por e gatshme që të investonte pas kërkesave për liri e demokraci të popullsive “të bregut jugor”.

Nga ana tjetër, Parisi kishte humbur brenda pak kohës Egjiptin dhe Tunizinë, shtyllat e strategjisë së tij diplomatike. Kishte rast më të mirë se Libia për të rikuperuar kredit në atë Mesdhe në erupsion? Ndoshta është mirë të mos lëshohesh shumë në koniuktura të tjera, por, gjithsesi, shembujt mund të vazhdojnë. Por kaq mjafton për të kuptuar motivet franceze. Provë është se qysh me 13 prill të 2011 (domethënë përpara vdekjes së Gheddafi) Sarkozy kishte pritur me fshehtësi të madhe Fatah Younis, gjeneralin e CNT-së – i vrarë në Bengasi në rrethana akoma pak të qarta në korrikun e 2011 – ka mundësi që të diskutonte garanci për tenderët e ardhshëm energjetikë. Me llogaritë në dorë, rezulton gjithçka më e thjeshtë: përpara fillimit të luftimeve, prodhimi i naftës i Libisë shkonte në pothuajse 1.6 milion fuçi nafte në ditë, rreth 2% e prodhimit botëror. Nga këta, rreth 52% ishte në dorën e 35 kompanive të huaja, të kryesuara nga italiania ENI, që në 2010 me 267000 fuçitë e naftës në ditë kishte qenë e para ndaj gjermanes Wintershall dhe francezes Total, respektivisht me nga 79000 dhe 55000 fuçi në ditë. Kështu pra nuk habit aspak fakti që Nicolas Sarkozy, pasi ka mbështetur fuqimisht CNT-në në luftën “çlirimtare” libiane, është paraqitur menjëherë për të kërkuar hesapin nën syrin vigjilent e Christophe de Margerie, CEO-ja i grupit Total. Atëherë e përditshmja franceze “Libération” foli deri për një marrëveshje të nënshkruar nga Mahmoud Shamman, zëdhënësi i CNT-së, i gatshëm që t’i jepte Francës 35% të kontratave të reja petrolifere libiane. Lajm më pas i hedhur poshtë nga palët, por që të paktën insinuoi një dyshim.

Kusuri është histori e vonshme. Pas vitesh pritjeje të fajshme edhe Franca e Presidentit Hollande vendos që të aderojë në planin e Kombeve të Bashkuara për qeverinë e marrëveshjes kombëtare të drejtuar nga Fayez al-Sarraj. Por edhe në këtë rast është e vështirë që të gjendet në ndërhyrjen e Elizesë ndonjë koherencë, veç në mos dëshirohet të interpretohet në një optikë të thjeshtë interesi kombëtar. Me ekuilibrizmin e lindur klasik, në selinë e Kombeve të Bashkuara Franca ishte shprehur e gatshme që të mbështeste GNA-në, por ndërkohë ka vazhduar të mbështesë Khalifa Haftar dhe sponsorët e tij rajonalë.

Është e përditshmja “Le Monde” ajo që ka zbuluar “sekretin” në shkurtin e vitit 2015, duke zbuluar ekzistencën e forcave speciale franceze me qëndrim në bazën e Benina, në afërsitë e Bengasi, në mbështetje të gjeneralit të Cirenaica në aksionet kundër IS-it dhe milicive të tjera islamiste besnike të Tripolit. Nga ana tjetër, avancimi i shpejtë i ushtrisë së Haftar drejt Bengasi nuk do të kishte ndodhur po të mos ishin ndihmat e konsiderueshme të francezëve (dhe të anglezëve), por edhe të Egjiptit të al-Sisi dhe të paktën të sauditëve dhe emiratasve, që përveç furnizimit me armë kanë hyrë garant lidhur me pagesat egjiptiane. Ravijëzohej kështu gjithnjë e më qartë roli francez në aksion lindor të konfliktit libian: armët e Përtejalpeve, shtylla egjiptiane, milictë e Haftar dhe garancitë e Gjirit. Mund të themi “chapeau” nëse këto afera të lulëzuara të mos kishin lindur mbi gërmadhat e marrëveshjeve unitare të Kombeve të Bashkuara të cilat Franca i kishte miratuar.

Tani mbetet për t’u sqaruar motivi i gjithë këtij nxitimi. Edhe një herë akoma mjafton të ndiqet rruga e naftës. Objektivi i francezëve ishte ai i aksesit në rezervat e naftës të Cirenaica, duke rifilluar aktivitetet nxjerrëse, duke zgjeruar rrezen e atyre eksploruese të nisura në 2011 pas rënies së Raisit, ndoshta duke shikuar edhe një çikë më tej drejt pellgut të Sirte që është i mbushur me resurse. Është këtu që, në heshtjen e shkretëtirës dhe larg syve kureshtarë, kompani franceze, pse jo edhe amerikane, angleze, gjermane e spanjolle po investojnë shuma të konsiderueshme në aktivitete eksploruese në zonën e Brega, në Gjirin e Sirte, ku do të jenë të pranishëm shumë kompani angleze; në Zillah, që shikon një aktivitet të fortë francez, ashtu si edhe në Beida e Kufra të Cirenaica, sa për të dhënë disa shembuj. Nganjëherë gjërat janë shumë më të thjeshta nga sa mendohen./bota.al/

*(Pjesë nga libri “Incognita Libia. Cronache di un Paese sospeso”, botuar nga FrancoAngeli, shkruar nga analistja Michela Mercuri)

Modifikuar më Tuesday, 29 May 2018 10:17
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...