Një kopsht zoologjik në Egjipt është akuzuar se ka pikturuar një gomar me qëllim që të duket si zebër, pasi fotot e kafshës u bënë virale në rrjet.
Mahmoud Sarhan postoi foto të kafshës në “Facebook”, pas një udhëtimi të kohëve të fundit në parkun e Kajros. Përdoruesit e mediave sociale vunë re se zebra, kishte veshë të gjatë dhe leshatorë dhe se vijat e saj, në disa vende ishin shlyer, duke ndezur debate online se për çfarë kafshe bëhej fjalë. “Që me shikim të parë e kuptova që ishte një gomar dhe jo një zebër, pasi unë jam një artist. I njoh konstruktet dhe karakteristikat e të dyja kafshëve ndaj edhe lehtësisht dola në këtë konkluzion”, tha vetë autori i fotove. Sidoqoftë, kopshti zoologjik, mohoi që zebra të ishte gomar.
Parku bashkiak International Garden, nuk është në fakt i pari kopsht zoologjik që akuzohet për tentativë mashtrimi të vizitorëve. Një kopsht zoologjik në gaza kishte pikturuar gomerët në mënyrë që të ngjasonin me zebra, në 2009, ndërsa një kafshë që cilësohej luan afrikan, në një kopsht zoologjik në kinë, në 2013, u zbulua se ishte një qen roje tibetian. TCH