Dashuria e vërtetë nuk mund të mbërrijë menjëherë, sepse kërkon mjaftueshëm kohë.
Mund të thuash se e dashuron vërtet dikë, vetëm nëse e njeh dhe e vlerëson për gjithë virtytet dhe veset e tij.
Gjatë jetës ne përfshihemi në marrëdhënie të ndryshme romantike, duke u përpjekur të gjejmë personin, me të cilin do të kalojmë pjesën e mbetur të jetës sonë.
Disa njerëz janë me fat, pasi martohen me personin e parë që duan dhe pas 20-30 viteve bashkë, duhen po njësoj.
Mirëpo shumë të tjerë kalojnë vite, derisa të gjejnë shpirtin e tyre binjak. Jemi të gjithë ndryshe dhe nuk ka asgjë të gabuar në këtë mes.
Por çfarë është saktësisht dashuria e vërtetë?
“Ekzistojnë lloje të ndryshme dashurish. Gjithsesi, në mënyrë që të mbahet për një kohë të gjatë një marrëdhënie, është e rëndësishme të mësosh të duash me vetëdije”, shpjegon një psikoterapist.
Kur një person gjen më në fund dashurinë e vërtetë, kupton se gjithë koha e shpenzuar dhe sakrificat e bëra ia kanë vlejtur. Gjithsesi, ka edhe raste kur e ke gjetur personin e duhur, por nuk e kupton se ai është shpirti yt binjak.
Kjo është arsyeja se pse duhet t’i kushtosh vëmendje disa shenjave që do të tregojnë, nëse partneri yt është dashuria e jetës tënde.
Këto janë karakteristikat që duhet t’i ketë çdo dashuri e vërtetë:
Komunikimi
Komunikimi është një përbërës i rëndësishëm në çdo marrëdhënië, qoftë romantike apo dhe shoqërore. Për t’u siguruar se ke gjetur personin me të cilin do të kalosh gjithë jetën tënde, nis dhe analizo komunikimin tuaj.
Shumë njerëz janë në marrëdhënie me persona që i bëjnë të ndihen mirë, por nuk janë në gjendje të hapen me ta për dëshirat apo ndjenjat e tyre.
Kjo gjë mund të sjellë probleme në marrëdhënie dhe, në pjesën më të madhe të rasteve, bëhet shkak i debateve dhe mosmarrëveshjeve.
A mund ta shprehësh lirshëm mendimin tënd, edhe në situatat më të vështira? Arrin dot të flasësh në mënyrë të qetë, edhe në debatet e forta?
Nëse po, atëherë ti dhe partneri yt keni arritur një komunikim të ndershëm dhe të sinqertë, i cili është një nga komponentët kryesorë të një marrëdhënieje afatgjatë.
Përputhshmëria
Kur flitet për përputhshmëri, nuk flitet vetëm për pjesën fizike, por edhe për atë emocionale dhe shpirtërore.
Përputhshmëria fizike ka rëndësinë e vetë, por ajo shpirtërore dhe emocionale i jep marrëdhënies ngrohtësi dhe lumturi.
Por çfarë do të thotë përputhshmëri emocionale? Imagjino sikur ti dhe partneri yt jeni pranë njëri-tjetrit dhe ti mund ta kuptosh mjaft mirë, nëse ai është i lumtur apo i trishtuar thjesht duke i qëndruar pranë.
Nëse marrëdhënia juaj ka arritur në një stad të tillë, atëherë mund ta thuash me siguri që ke gjetur dashurinë e jetës tënde.
Nuk ke frikë për të ardhmen
Një shenjë e sigurtë se ke gjetur dashurinë e jetës tënde, është fakti që nis të mendosh më tepër për të ardhmen. Madje nis edhe të bësh plane për të ardhmen e largët, në të cilën padyshim bën pjesë edhe personi i zemrës tënde.
Nis të mendosh se çfarë shtëpie do ju pëlqente të dyve të blinit, se ku do i çonit për studime fëmijët tuaj, etj.
Çfarëdo gjëje që mendon, e ardhmja nuk të tremb më. Mezi pret të dish se çfarë do të sjellë e nesërmja. Gjëja më e rëndësishme është që gjysma jote është pranë teje gjatë gjithë khës dhe pjesa tjetër nuk ka rëndësi.
Raportet me miqtë dhe familjarët e tu janë përmirësuar
Kur gjen dashurinë e jetës tënde, marrëdhënia jote romantike ndikon pozitivisht tek gjithë marrëdhëniet e tjera.
Dashuria të mbush me forcë dhe energji pozitive dhe këto sjellin avantazhet e veta në familjen tënde dhe në shoqëritë e tua.
Përgjatë jetës, një person mund të ketë marrëdhënie të ndryshme: të lumtura, ose të trishta.
Nëse kujtojmë lidhjet e shkuara që kemi pasur, do t’i rikujtojmë vetes mësime të vlefshme që mund të kemi marrë prej tyre dhe që do të na ndihmojnë për gjetjen e personit të duhur për të kaluar jetën tonë. / bota.al