Kosova pjesëmarrëse në ekspozitën botërore të kostumografisë në Moskë

Tuesday, 29 Janar 2019 13:09

Përmes punës krijuese të kostumografes Hana Zeqa, Republika e Kosovës përzgjedhet të jetë pjesëmarrëse në ekspozitën e dytë madhore që kremton kostumografinë botërore e që do të mbahet në Moskë – kësaj radhe dedikuar kostumografëve dhe dizejnatorëve të modës të cilët kanë filluar karrierën nga viti 2000 e tutje.

Kjo ekspozitë me titull Innovative Costume of the 21st Century: The Next Generation (Kostumi Inovativ i shek. 21: Gjenerata e Ardhshme) organizohet nga A.A. Bakhrushin State Central Theatre Museum, ndërkaq premiera botërore e kësaj ekspozite do të mbahet në Muzeun Historik Shtetëror të Rusisë pranë Sheshit të Kuq në Moskë, në qershor 2019, ka njoftuar pwr KultPlus, kuratorja kombëtare për Kosovën në ekspozitën Kostumi Inovativ i shek. 21: Gjenerata e Ardhshme, Albulena Borovci.

Qëllimi i ekspozitës është dokumentimi i fjalorit të artit dhe krijimtarisë në fushën e kostumografisë, prezantimi i punës dhe ideve inovative nga gjenerata e profesionistëve të rijnë, si dhe krijimi i një platforme mbi të cilën, në të ardhmen, mund të hulumtohet dialogu mbi çështjet e sotme.

Nga 1,300 punime nga 938 dizejnatorë e kostumograf nga 60 shtete anembanë botës, janë përzgjedhur vetëm 250 finalistë për të prezantuar punën e tyre në Moskë të Rusisë. Procesi kuratorial i ekspozitës ka kaluar në 3 faza kyçe. Në fazën e parë janë mbledhur dhe përzgjedhur punimet në nivel kombëtar nga 60 shtete, ku Kosova ka aplikuar me 8 projekte të selektuara nga kuratorja kombëtare dhe kostumografja Albulena Borovci. Në fazën e dytë kuratorja udhëheqëse e ekspozitës Susan Tsu dhe drejtori artistik Igor Roussanoff kanë bërë selektimin e 300 punimeve me potencial për të kaluar në fazën e tretë ku drejtuesi i projektit Dmitry Rodinov me stafin e tij në A.A. Bakhrushin State Central Theatre Museum ka përzgjedhur 250 finalistët që do të shfaqin punën e tyre në Muzeun Historik Shtetëror të Rusisë në qershor të këtij viti.

Kostumografja nga Kosova Hana Zeqa do të prezantohet me projektin e saj të titulluar Morphogenesis of Emotions. Ky punim është produkt i bashkëpunimit të Hanës si kostumografe me kolegen e saj Betty Zhang e cila ka realizuar aspektin interaktiv për kostumin.

Innovative Costume of the 21st Century: The Next Generation feston kostumin inovativ, revolucionar, origjinal, unik, të guximshëm, të pazakontë, frymëzues dhe eksperimental të kohës. Përmes kostumeve që eksplorojnë ide të reja, përdorimin inventiv të materialeve, dhe inkorporimin e teknologjisë në procesin e krijimit, kjo ekspozitë do të shënon këtë periudhë në histori dhe atë që krijuesit e rinjë anembanë botës po mendojnë dhe frymëzohen në këtë kohë.  

 
Login to post comments