10 sinjale të një marrëdhënieje të papërshtatshme për ju

Premte, 12 Prill 2019 08:51

Është e kotë të vazhdoni një marrëdhënie personale nëse nuk ndiheni të sigurt dhe nuk jeni vetvetja. Në fakt ka një sërë sinjalesh të cilat tregojnë papërshtatshmërinë ndaj një raporti të tillë.

Më poshtë, ekspertët e marrëdhënieve dhe të martesave ndajnë sinjalet (të publikuara në ‘Huffington Post’), të cilat ju tregojnë nëse gjendeni në një marrëdhënie për të cilën nuk ia vlen më të harxhoni kohën dhe energjitë tuaja.

1- Cila është gjëja e rëndësishme që ju kënaq?

“Ka shumë gjëra në jetë, nga të cilat mund të kënaqeni: nga destinacioni i pushimeve të kësaj vere që sapo shkoi, makina e shtrenjtë apo nga operatori telefonik, por absolutisht nuk mund të kënaqeni 100% nga personi me të cilin zgjidhni të kaloni jetën tuaj”, konfirmon Virginia Gilbert, një terapiste e çifteve nga Los Angeles. “Nëse partneri/ja juaj nuk ju kënaq nga pikëpamja inteligjente, emotive dhe seksuale, është një dëm për të dy”, thotë ajo. “Jini të ndërgjegjshëm me veten!”

2- Partneri juaj është kritiku më i ashpër

“Partneri juaj duhet të jetë miku apo mikesha e zemrës, bashkëpunëtori juaj më i madh në çdo aspekt. Por nëse nuk merrni asnjë mbështetje morale dhe kritikat janë të shpeshta në marrëdhënien tuaj, ky është një sinjal shumë problematik”, thotë Alicia H. Clark, një psikologe nga Uashingtoni.

3- Nuk ndani një sens humori me partnerin?

Çon sytë nga qielli sa herë që bëni një batutë apo qesh në mënyrë të ekzagjeruar? “Mund të mos ju duket e rëndësishme, por nëse partneri apo partnerja juaj nuk qesh me ju, atëherë ky është një problem”, thotë Gilbert. “Jeta është e vështirë; do të keni nevojë për dikë, i cili ua bën atmosferën më të lehtë.”

4- Më të dashuruar nga ideja sesa nga personi

Kur jeni të dashuruar, është e thjeshtë të injoroni ndonjë papërshtatshmëri me vetveten. “Por nëse jeni më shumë të dashuruar me idetë e partnerit apo partneres tuaj sesa me vetë personin, do të keni nevojë për një përballje më të madhe me realitetin”, këmbëngul ekspertja dhe shkrimtarja Marina Sbrochi. “Gjeni dashurinë e vërtetë të jetës suaj. Jetoni realitetin, kohën e tashme.”

5- Nuk jeni të mirëpritur në familjen e tij/saj

“Nuk është një shenjë e mirë për të ardhmen tuaj bashkë nëse keni njohur prindërit e tij / saj dhe nuk ju kanë pëlqyer”, shpjegon Gilbert. Akoma edhe më keq, nëse partneri juaj vazhdon t’ju lërë mënjanë në diskutimet apo bisedat familjare.

6- Sjellja e partnerit nuk pasqyron atë që thotë?

“Kontradiktat mes të thënit dhe të bërit janë një sinjal i zakonshëm i një marrëdhënieje problematike”, thotë Clark. Mund të filloni të pyesni veten nëse ia vlen vërtet të vazhdoni një lidhje të tillë!

7- Qëllimet personale kundërshtojnë njëra-tjetrën

Marrëdhëniet më të mira ndërtohen mbi një ndjenjë të fortë bashkëpunimi: që nga momenti kur jeni çift, duhet të njihni dhe të besoni thellësisht në ëndrrat individuale të tjetrit dhe objektivat e jetës duhet të jenë pak a shumë të përputhshme. “Nëse filloni të kuptoni sesa të kundërta janë shpresat tuaja për të ardhmen, mund të keni nevojë të bëni një hap prapa në marrëdhënie”, thotë aktorja Brenda Della Casa.

8- Shumë të pasigurt qëkurse nisët lidhjen?

“Vetëbesimi juaj në asnjë mënyrë nuk duhet të lidhet me opinionin e partnerit apo partneres tuaj ose me situatën sentimentale; vlera juaj si person vjen nga ajo se kush jeni. Kjo do të thotë se nëse partneri apo partnerja juaj ju bën të ndiheni jo të dashuruar ose të pasigurt për veten deri në atë pikë sa të kaloni në ankth, atëherë keni nevojë ta përballoni vërtet këtë situatë”, thotë Clark. “Nëse dilni me personin e gabuar, juve mund t’ju rritet ndjenja e ankthit dhe pasiguria”, konfirmon ajo.

9- Po mendoni për dikë tjetër

“Nëse e pyesni vazhdimisht veten se gjërat do të ishin më mirë me kolegun e partnerit tuaj apo e kundërta, mund të keni probleme”, thotë Sbrochi. A është kjo një tjetër shenjë e keqe? Sigurisht që po ose nuk ju pëlqen personi me të cilin jeni ose ndoshta keni nevojë të eksploroni më shumë arsye në vetvete se përse nuk jeni të kënaqur nga tjetri. Pra reflektoni!

10- Të ndryshoni veten për të kënaqur partnerin

“Nuk ekziston çift në botë që dashuron çdo gjë të personit tjetër. Por nëse partneri apo partnerja juaj ju trajton si një projekt personal, dikë që ndihet i detyruar ta ndryshoje për lartësinë e duhur, gjendeni padyshim në një marrëdhënie të gabuar”, thotë Della Casa.

Modifikuar më Premte, 12 Prill 2019 09:11
Login to post comments