Llogaritë e Instagram-it të modeleve, të udhëtimeve ekzotike dhe momenteve të përsosura të fotografive shpesh nuk përputhen me jetët tona relativisht rutinore.
Një nga autorët e raportit të studimit tha për CNN se vajzat shpesh krahasohen me imazhet joreale që janë të manipuluara.
Disavantazhi i shkaktuar nga ky hendek është se një numër i madh i hulumtimeve sugjerojnë se mediat sociale po kontribuojnë në problemet e shëndetit mendor si ankthi, depresioni, privimi nga gjumi dhe probleme të trupit tek të rinjtë, që janë përdoruesit më të mëdhenj të mediave sociale.
Instagram, që tani ka 700 milionë përdorues globalisht, duket se është rrjeti social që ka efektin më të madh negativ, sipas një raporti të ri nga Shoqëria për Shëndetin Publik në Britani (RSPH), një organizatë e pavarur e fokusuar në edukimin shëndetësor.
Vetëm YouTube kishte një efekt neutral-pozitiv në mesin e të anketuarve.
Çdo rrjet tjetër social rezultoi me një efekt negativ. (Prej më pak negative tek më shumë, ishin: Twitter, Facebook, Snapchat dhe Instagram.)
Të anketuarit e vlerësuan Instagramin në mënyrë të veçantë për efekte negative në përceptimin negativ për trupin dhe për ankthin.
Raporti kombinon hulumtimet e botuara më parë mbi ndikimet e shëndetit të mediave sociale me anketën e re në mbarë Britaninë me gati 1,500 njerëz në moshën 14-24 vjeçare.
Ekipi testoi se si të anketuarit vlerësonin se rrjetet e ndryshme sociale – Instagram, Facebook, Snapchat, YouTube dhe Twitter – ndikuan në shëndetin e tyre, si pozitivisht ashtu edhe negativisht, për ndjenjat e tyre të ankthit, lidhjes me një komunitet, ndjenjën e identitetit, gjumin, trupin dhe më shumë.
Rezultatet nuk ishin të gjitha të këqija. Disa nga të anketuarit raportuan se morën mbështetje emocionale në mediat sociale kur kohët ishin të vështira dhe shumë thanë se llogaritë e tyre ofruan një forum për vetë-shprehje pozitive. Ata gjithashtu ishin në gjendje të krijojnë dhe mbajnë marrëdhënie online.