Nga Besim NDREGJONI
Ç’është krimi? Kush është krimineli? A duhet dënuar krimi? Përse duhet dënuar krimineli? Këto pyetje të thjeshta jane, në të vërtetë, thelbësore për njië shoqëri civile e të qytetëruar. Nga përgjigja e plote e tyre varet, në fakt,mbarëvajtja e shoqërisë në përgjithësi, dhe natyrisht edhe shoqërisë shqiptare. Shqipëria mban në ndërgjegjen e saj disa nga gjërat më dramatike për një komb. Njëra pjesë e kombit të saj u përndoq në mënyrën më të pamëshirshme, u përndoq për bindjet e saj, për pasurinë e saj, për rangun dhe inteligjencën, për kodet e saj etike e kombëtare, u përndoq për pesë breza. Vetëm se ishte e tillë.
Kur një shoqëri nuk do të ballafaqohet më ndërgjegjen e vet për të bërë pastrimin e së keqes, ajo shoqëri do te vazhdoje të jetë traumatike: Të nesërmen, kushedi, mund ta ketë më të errët se të djeshmen. U mbushën 28 vite që nuk janë gjetur eshtrat e 4500 të pushkatuarve pa gjyqe nga diktatura. Dhe sot ata vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe të harruar nga klasa politike.
Këta korifej të kombit tim sfiduan padrejtësinë e terrorit me anën e vlerave të tyre, duke u martirizuar, gjënë më të shenjtë jetën. Këta korifej sfiduan padrejtësinë, duke sakrifikuar moshën por jo idealin e lirisë, drejtësisë paqes për shoqërinë. Që në vitet e para të demokracisë, ne ëndërronim që padrejtësia e një sistemi çnjerëzor komunist do të dënohet moralisht dhe penalisht. Fatkeqësisht sot kur po mbushen 28 vite të ndërrimit të sistemit, ne shqiptarët, e në veçanti politika nuk i dënuan këto krime, por përkundrazi me mënyra të streholluara përdoren diktatin ndaj kësaj pjese të shoqërisë që nuk u bënë palë me diktaturën,” harresën”.
Harresa është një fenomen që nuk i shërben paqes , lirisë, por diktaturës. Duke ndjekur me vëmendje aktorët politikë mediatike si dy shtylla të fuqishme të pluralizmit, kemi parë se fenomenin e harresës ndaj vlerave dhe dijes së kombit, e mbulojnë me gënjeshtrën, ideologjinë nga vjen kjo klasë politike. Më anën e pushtetit të diktatit të fshijnë dijen që na kanë lënë trashëgimi këta burra e gra që janë sot në këtë sallë, me trashëgimtarët e tyre.. dhe me shkëlqimin e vlerave të tyre kombëtare duket sikur bisedojnë me ne, duket sikur dhe sot mbas terrorit na frymëzojnë që ne të punojmë për të mirën e shoqërisë e të kombit.
Deri kur drejtësia të penalizojë padrejtësinë kjo shoqëri nuk mund të ketë paqe, dhe dashuri. Ne jemi dëshmitarë okularë të atmosferës së frikës që krijon çdo terror, sidomos terrori i kuq. Ne gëzojmë të drejtën e fitueme me gjak për fjalën e lirë, mendimin e lirë, veprimtarinë e lirë e ligjore ma shumë se asnjeri tjetër.
Kjo e drejtë nuk ashtë një privilegj por një e drejtë që nuk mund të mohohet nga askush.
E kur ajo mohohet –siç ashtë rasti shumë here ne vitet e fundit, e drejta e jone për revoltim asht e shenjtë, dhe e pacenueshme.
Ku janë eshtrat At Gjergj Fishta, të Patër Anton Harapit, Lef Nosit, Maliq Bushatit, ku janë eshtrat e At Aleks Lipes të, Sazan Hadërit në burgun e Burrelit...të Xhelal Koprencës në Spaç e mijëra të tjerëve në Maliq e Beden.. është e turpshme e aspak kombëtare të flitet për kontribute e atyre që i sollën kësaj shoqërie diktaturë e të heshtet ndaj këtyre që u sakrifikuan që ne të kemi liri. A kanë moral drejtuesit e Pushtetit të sotëm të ndërrojnë xhelatët që u humbën eshtrat këtyre shqiptarëve dhe të përbuzin korifejte e lirisë të mendjes e të dashurisë njerëzore!
Dhe veprat e këtyre martireve të ditur, të zhdukur sot mbas 28 vitesh pret nga kjo klasë politike
Të ua kthejnë eshtrat, t’i qetësojnë familjaret t’u ndërtojnë një varr në tokën mëmë Shqipëri.
A është e qetë shoqëria kur në 105 vjetorin e pavarësisë, flitet për pavarësinë, dhe ata qe bënë pavarësinë si Lef Nosi, Fejzi Alizoti, me te tjerë sot nuk kanë një varr.. Ka 28 vite që shteti ka financuar me mijëra subjekte e individë .. kurse për gjetjen e eshtrave të vrarëve të diktaturës nuk ka dhënë as edhe një cent.. janë gjetur afërisht 2000 të vrarë nga viti 1944- 1990 e deri më sot, pa ndihmën e shtetit por vetëm familjarët me shpenzimet e veta.. aq përbuzëse është përgjigjja e këtij shteti ndaj këtij fenomeni kombëtare sa të përgjigjen me indiferentizëm se nuk ka dosje për të pushkatuarit, sikur këta i ka marrë ndonjë pushtues e i ka larguar jashtë Shqipërie.. Kosova e pushtuar 100 vite nga serbët kërkon 2000 qytetarë të zhdukur.. ne të pushtuar nga diktatura komuniste për 50 vite kërkojmë 4500 të zhdukur..
A ka ndërgjegje kombëtare Presidenti , Parlamenti, Qeveria .. kur një pjesë e shoqërisë kërkon të drejtën njerëzore të respektoi ata që u vranë për liri.. për këtë demokraci që flasim sot.. por ndërgjegjen e tyre e ka mbuluar heshtja, heshtja e tyre është krimi i dytë që u bëhet martirëve qe u vranë për liri dhe sot nuk kanë një varr në vendin e tyre..
Heshtja është veprim kriminal ndaj të vrarëve e të zhdukurve nga diktatura komuniste për jetët e humbura për mijëra vite e vuajtje nga diktatura dhe krimi.
Mos hesht se bëhesh fajtor.. po gjetjes së eshtrave te zhdukurve..
Është koha te veprojmë e të kapim kohën e humbur! Është koha të ndërtojmë parcelën Kombëtare me emrat e tyre përball godinës së qeverisë siç kanë ndërtuar hebrenjtë përballë Budestangut gjerman parcelën e kujtesës e ku Merkeli çdo vit u kërkon falje për krimet e Hitlerit. A do të kërkojnë falje të tjerë, siç kërkoi Lulzim Basha dje me 26 mars 2018 në konventën kombëtare të familjarëve qe nuk i kanë gjetur eshtrat siç bëjnë gjermanët!
Kthimi i eshtrave familjarëve, ndërtimi i parcelës kombëtare para selisë së qeverisë është mirënjohja, paqja, dhe pajtimi kombëtar i shoqërisë dhe shqiptarëve.
Bëhu dhe ti kontribuues në gjetjen e eshtrave të të zhdukurve se këta të zhdukur janë shqiptare janë bashkëkombësit tuaj janë ata që i dhanë këtij vendi pavarësinë, që i dhanë këtij vendi shtetin, qe i dhanë këtij vendi lirinë duke sakrifikuar jetën e tyre.