Nga Ylli Manjani
KLGJ dhe KLP ( ju siguroj që nuk janë emra pesticidesh) janë dy institucionet themelore të funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Asnjëra nuk është krijuar, duke shtuar mjegullën në sistem dhe duke favorizuar ‘ujqërit’ e Rilindjes!
Kushti i vetëm i pa plotësuar ende ishte që kandidatët të kalojnë vetting.
Deri tani KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) është i pamundur të krijohet sepse kandidati i vetëm nga Gjyqtarët e Apelit jashtë Tirane, Besim Trezhnjeva është skualifikuar!
KLP ka ende shans të krijohet, nëse kandidatët e mbetur kalojnë vettingun. Sikur njëri të skualifikohet, KLP nuk krijohet dot.
Dmth as SPAK e as BKH!!
Rruga ligjore është përsëritja e garës. Kjo do të thotë kohë e re për garë të re dhe kohë shtesë për vetting të kandidatëve të rinj.
Risku është që gara mund të ripërsëritet nëse edhe kandidatët e rinj nuk e kalojnë vetting!
Zgjidhja më e shpejtë është: rikthimi në detyrë i të skualifikuarve nga Vetting dhe kalimi i vetting të të gjithë kandidatëve të tjerë që janë në proçes.
Risku është që vetting do jetë formal për këto që janë kandidatë dhe i rrepte për të tjerët. Pra do legjitimohej “dy standartësia”... Jo se kjo nuk po ndodh, por do ta pranonin vetë këtë gjë!
E njëjta logjikë vlen edhe për KED , nga e cila duhet të dalë gjykata Kushtetuese. Pra anëtarët e KED duhet të kalojnë vetting, Gentian Trenova të rikthehet në detyrë dhe kështu vendi bëhet me gjykatë Kushtetuese.
Ky është ekuacioni i sistemit të drejtësisë që është shkruar në ligje. Me dy e më shumë të panjohura është. Hë për hë Dallori është negativ! Zgjidhjet duhen kërkuar në bashkësitë e numrave irracionalë...
Rilindja dhe Ambasadorët e saj “personalë”, nuk e zgjidhin dot këtë ekuacion. Të paktën jo në bashkësinë e numrave realë...
Të na rrojnë e u pagofshin gjithnjë mirë:
EURALIUS, OPDAT, ICITAP, DELEGACIONI i BE, AMBASADA AMERIKANE, FONDACIONI SOROS, Dhe mbi të gjitha RILINDJA, me në krye Ministrinë e Brendshme dhe në ballë (jo Taulanti) shoku Edvin!