Turi i ‘llogaridhënies’ është shndërruar në një tragjikomedi të vërtetë. Një Kryeministër që në shumicën e rasteve bën gallatë dhe u përgjigjet pyetjeve të porositura, arrogant, ofendues karshi popullit të tij.
Por ditët e fundit “bashkëbisedimi” po i del nga kontrolli Kryeministrit. Tanimë ai ka vetëm një përgjigje ndaj shqetësimeve dhe pyetjeve të qytetarëve: 3 minuta.
Është bajate dhe e neveritshme sepse për Kryeministrin një problem në sistemin e shëndetësisë mund të zgjidhet për 3 minuta, kur sistemi është i tëri kolapsuar dhe ai duhet të japë llogari për të.
Qytetarët kërkojnë punë dhe Rama thotë ‘3 minuta’ ndërkohë që duhet të flasë për ata qindra mijëra shqiptarë që po braktisin vendin se nuk kanë punë.
Qytetarët kërkojnë rrugë dhe shërbime më të mira për kryeministrin të gjitha këto realizohen për ‘3 minuta’.
Një qytetar i kërkon dokumentacionin për pronësinë, Rama ia ‘zgjidh’ hallin me: 3 minuta.
Një tjetër flet për kanalet vaditëse që janë për faqe të zezë, Rama ia ‘pastron’ me togfjalëshin: 3 minuta.
Qytetarët e kanë kuptuar dhe ia dinë tashmë si t’ia kthejnë edhe përgjigjet. Nga Korça e mora fjalën një qytetar dhe duke e ditur përgjigjen e Ramës nxitoi të mos ia sqaronte hallin por t’i jepte përgjigjen ironike: “E di, 3 minuta e jo më shumë”. /55news.al/