Nga Qemal SAKAJEVA
Janë të pakta ato vdekje që, si në emërues të parbashkët, prekin zemrat e të gjithëve. Astronauti amerikan Neil Armstrong, ky Njeri i Hënës, që Hëna edhe mund të ishte bërë varr i tij, por që ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, më 25 korrik 2012, padyshim mbetet fytyra që na shpërfaqet sa herë çojmë kryet kah kupa qiellore dhe vështrimi rrok satelitin tonë. Ne, tokësorët e tjerë, kush me tepri e kush më i përmbajtur, ndodh edhe të vetëlavdërohemi, për ku kemi shkuar e për çfarë kemi parë. Kurse, Armstrong, heroi i madh i shkencës, legjendë e guximit njerëzor, pas kthimit në Tokë e deri në fund të jetës, mbeti aq modest sa që, misionin e jashtëzakonshëm e shndërroi në thjeshtësi të qytetarit gati të padukshëm, çka shpesh na ka shtyrë të pyesnim: Ku gjëndet Armstrong? Pse rri larg ekraneve, të cilat mbushen edhe mërzitshëm nga të tjerë, që nuk thonë gjë por duan të duken, për të treguar se janë?
Pas lëshimit në hapësirë të Sputnik 1, dhe fluturimit të kozmonautit Juri Gagarin, Bashkim Sovjetik u vendos një hap përpara amerikanëve. Kjo, në Shqipëri, u interpretua thekshëm si epërsi e ideologjisë marksiste- leniniste dhe sistemit socialist mbi ideologjinë borgjeze dhe kapitalizmin. Ato minuta, kur Gagarin rrotullohej përreth Tokës, në shkolla shqiptare nxënësit u nxorrën përjashta, të vështronin qiellin, a thua se, me këtë, kishte ngjarë si nëpër dollitë e marksistëve fanatikë shqiptarë: ”Komunizëm gjithë Bota!” Por, gjatë Luftës së Ftohtë, gara e nxehtë e armatimeve mes SHBA dhe BRSS, formën më paqësore e shprehu në fluturimet kozmike. Satelitët e ndritshëm shquheshin qiellit, sidomos netëve të verës diku në fshatra të terrtë, ashtu përzjerë me prushin e yjeve, dhe në dallim me ta, duke lëvizur në ngutje përreth Tokës. Kjo i pati rrëmbyer mendjet e kureshtarëve dhe të atyre që dëgjonin në fshehtësi radiot e huaja, që kundrimin e lirë të Gjithësisë ta shndërronin në zakon, edhe pse nuk dinin rreth përparimit gjigant të shkencës, me raketa e astronautë, teknologji të lartë e aftësitë të pazakonta, thuajse përtej njerëzores. Por, 20 korriku i vitit 1969, kur Neil Armstrong, i pari njeri që vuri këmbën në truallin e Hënës, kur Buzz Aldrin e pasoi vetëm 18 minuta më vonë, ndërsa Michael Collins sillej i vetmuar përqark trupit qiellor, domosdo edhe nga ana e padukshme e Hënës, në pritje për t’i marrë të dy kolegët e së bashku të ktheheshin në Tokë, amerikanët e përmbysën në mënyrë spektakolare përparësinë sovjetike, dolën në krye asisoj sa bota mbajti frymën.
Nuk pati një porosi të dytë për shkollat shqiptare, që t’i nxirrnin nxënësit e studentët përjashta, të vështronin kah Hëna, ku shkonin e ktheheshin astronautë amerikanë. Por pati diçka të padëgjuar: Shqipëria komuniste u përfshi “në garën e kozmosit” në mënyrën më të marrë pas Apollo 11, pas vajtjes së njeriut të parë në Hënë, pas lajmit gojor se Armstrong me të zbritur në Tokë kishte kërkuar së pari të shkonte në Kishë. Nëse amerikanët e sovjetikët lëshonin raketa e nisnin njerëz në hapësirë, komunizmi shqiptar që kishte dy armiq - Amerikën dhe Fenë - ndërmorri diçka të atillë sa brezave të mëpasëm nuk do t’ua rrokë truri: ndërsa bota e përjetoi zbritjen në Hënë si habinë më madhështore njerëzore, Shqipëria kreu ndalimin për informim si një marrëzi ideologjike e pashoqe. Pas Apollo 11, kryeredaktorët e gazetave dhe revistave, qenë thirrur në ndërtesën hijerëndë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sidomos ato që botonin lajme dhe shkrime nga fusha e shkencës. Ata, me t’u kthyer nëpër zyra, i mblodhën përgjegjësit dhe gazetarët, që të përcillnin urdhrin. Ashtu pati bërë dhe kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, me prirje kurajoze brenda politikës së botimit, për të dhënë diçka të re. Atë ditë ai komunikoi shkurt për gazetarët: ”Me porosi të drejtpërdrejt të shokut Enver, nuk do të botohen më lajme për fluturimet kozmike dhe për arritje të tjera të shkencës, sepse duke i propaganduar ato, ne glorifikojmë imperializmin amerikan”. Komunikimi i urdhërit të prerë qe kaq i shkurtër, madje duke përdorur fjalën e shprehur nga vetë Diktatori- glorifikojmë - dhe jo fjalët shqipe, mburrim apo lavdërojmë.
Asnjë lajm nuk pipëtiu më për Apollo-t që pasuan, kush ishin zbritësit e tjerë në Hënë, përveç shurdhimit me zhurmën e revolucionit tekniko-shkencor shqiptar, prodhimit të karrocerisë së autobuzit, sajimit të një pajisjeje që kursente benzinë te kamionët, a thua se inxhinierët dhe konstruktorët e makinave moderne ishin të pazotë, se plugoheshin lartësitë e mëdha për të mbjellë patate dhe gjëma e luftës së klasave, të zezën e së cilës ideologjia e zbardhte me propagandë si të qe paqë. Shqipëria ishte e vetmja që ndaloi informimin për fluturimet kozmike, siç qe e vetme në botë për ndalimin e fesë me kushtetutë. Apollo-t shkonin në Hënë e ktheheshin në Tokë, por lajmet për to as nuk ceknin në Planetin Shqipëri, veç rrëshqisnin tërthorazi, përmes radiove të huaja. Kloni kufitar tokësor kapte dhe i përdhoste viktimat që përpiqeshin të arratiseshin, kloni i censurës qe po aq i pranishëm dhe me pasoja dramatike.
Apollo 11 në Hënë, më 20 korrik 1969, dhe vdekja e Armstrong më 25 korrik 2012, gjithmonë duhet t’ua kujtojnë shqiptarëve edhe urdhrin e ndalimit të informacionit, që i nxiti fanatikët deri sa të përcillnin lajmin-thashethem: Armstrong nuk ka zbritur në Hënë, ajo që shohim është sorollatje e tij nëpër laboratoret e amerikane.
Hiri i eshtrave të Neil Armstrong, këtij Heroi të Njerëzimit, është shpërndarë në Oqeanin Atlantik.