E parakohshmja por e pa-evitueshme Republikë e Re!

E Enjte, 12 July 2018 06:56

Nga Akil Kraja

Edi Ramën duhet ta falënderojmë. Duke shkatërruar gjithçka, ai po rivendos themelet për një rend të ri moral, ekonomik e juridik në Shqipëri. Schumpeteri do ta quante shkatërrim krijues. Por nuk është çështje ideologjike e të majtës e të djathtës, marksistësh, revolucionarësh apo konservatorësh. Bëhet fjalë për sistemin që mban në këmbë shtetin, për udhërrëfyesin kombëtar, për kapitullin e radhës në librat e historisë ku do të përshkruhet Shqipëria e shekullit të 21. Çështja e Teatrit Kombëtar ka tronditur në themele Republikën Shqiptare, duke mundësuar vetëm dy alternativa. Ose pranimin e autoritarizmave të vjetër, ose ndërtimin e një Republike të re.
Tranzicioni nënkuptonte kalimin nga një regjim diktatorial, autoritar, arbitrar drejt një shteti demokratik, të tregut të lirë e të të drejtave kushtetuese. Kriteri i suksesit të këtij tranzicioni do të ishte nëse ai do të arrinte të kurorëzohej me integrimin e plotë Euro-Atlantik : Amerika do të garantonte sigurinë, Europa zhvillimin socio-ekonomik. Tranzicioni nënkuptonte një kalim nga një sistem në tjetrin, një periudhë kalimtare, hibride, të mbushur me sfida madhore ndryshimesh strukturale e investimesh ligjore, infrastrukturore e njerëzore. Dalja nga regjimi komunist, duhej të përmbyllej patjetër me përfshirjen e Shqipërisë në rendin e demokracive perëndimore.
Ndërkohë që arritëm të bëhemi anëtar të plotë të Nato-s, vlerësimi i fundit nga Brukseli dëshmon qartazi se jemi ende shumë larg nga integrimi në BE. Shqiptarët sot mund të kenë më shumë për të ngrënë e vishen më mirë se në vitet 90, udhëtojnë të lirë, janë të ekspozuar ndaj ekonomisë së konsumit por mbeten ende shumë, shumë larg arritjes së standardeve të demokracive dhe ekonomive perëndimore që aspirojmë. Shqiptarët jetojnë sot në një shtet ku prioritetet ekonomike, politike, financiare dhe shoqërore - e për pasojë i gjithë diskursi publik - diktohen nga zhvillimet më të fundit të aktiviteteve kriminale në vend. Banaliteti i të keqes ka primuar mbi vlerat njerëzore të të mirës, të respektit të traditës e trashëgimisë, të zhvillimit e konsolidimit të një shteti perëndimor. E shkuara nuk vlerësohet, e ardhmja është marrë peng. Nga këtu buron dhe humbja e thellë e shpresës dhe eksodi masiv i bashkëkombësve tanë sot. Shqipëria po banalizohet, nuk po lartësohet. Kush do të dëshironte të jetonte në një vend të tillë?
Ndaj nëse kthehemi në pikënisjen e tranzicionit tonë, e vërteta qëndron se gabuam rëndë. Besimi i tepruar në prirjen euro-atlantike u kthye në një neglizhencë fatale. Pesha e inercisë së regjimit të shkuar u nënvleftësua në mënyrë tragjike. Mjaftoi një seancë si ajo e të enjtes së kaluar që të “Rilindnin” frikat tona më të mëdha. Tranzicioni mund të ishte i kthyeshëm, të risillte të shkuarën e jo të afronte të ardhmen, të shkatërrontë demokracinë e jo ta konsolidonte atë, tranzicioni mund të përmbyllej me një dështim. Seanca e të enjtes ishte dëshmia kulminante e një procesi jo-transparent, jo-të-konsultuar, jo-demokratik e jo-ligjor. Një proces që dëshmon qartazi sesa larg është vendimmarrja e pushtetit shqiptar nga vlerat e demokracive perëndimorë që aspirojmë, sesa larg është pushteti nga qytetarët e tij.
“Rilindja” e arrogancës autoritariste që u dëshmua në Parlamentin shqiptar gjatë votimit mbi shembjen e Teatrit Kombëtar është në nivelin e një traume republikane, të një tragjedie demokratike. Nuk ka më delegim, por një peng-marrjeje të sovranit dhe të pushtetit legjislativ. Qytetari nuk është më pjesë e vendimmarrjes. Ndaj mund të themi pa asnjë frikë : Republika ra, rroftë Republika e re!
Dy janë alternativat përpara nesh. Ose do të lejohet konsolidimi i një regjimi hibrid me reminishenca të qarta nga e shkuara diktatoriale e vendit, ose forcat demokratike duhet të përfitojnë nga ky moment për të risjellur në hapësirën publike dhe një herë projektin e një Republike të Re.
Një ambicie që nuk u kuptua drejt, që u sulmua po kaq fort sa nga brenda dhe jashtë saj, një projekt që për shumë kënd është ende i paqartë dhe i parakohshëm. Republika e Re është rikthimi i qytetarëve në zemrën e vendimmarrjes publike. Ajo nuk mund të limitohet në kufijtë e një qasjeje ideologjike, por duhet lexuar si një ambicie shtet-formuese. Nuk mund te shihet vetëm si një slogan elektoral, por si një objektiv kombëtar. Republika e Re është përmbyllja natyrale e një procesi shekullor të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Nuk është një produkt teknokrat, vlerësim progres raporti, apo votimi diplomatik në KE. Është një konsolidim i vlerave, praktikave, ambicieve dhe normave demokratike të raportit mes pushtetit dhe qytetarit sovran.
Vijueshmëria e situatës aktuale vetëm sa do të “normalizonte” krizën që po kalon vendi. Pushteti Shqiptar do të rrëshqiste drejt asaj çka kemi lënë pas duke rikthyer pashmangshmërisht një regjim ku sundon autokracia, shtypja e qytetarit dhe censura e fjalës së lirë. Kjo është ajo çka dëshmoi më së miri mënyra sesi u shtyp debati rreth Teatrit Kombëtar, si në media, në parlament dhe në hapësirën publike. Reforma në drejtësi, rilindja urbane, reforma e shëndetësisë apo dhe e arsimit, të gjitha janë karakterizuar nga e njëjta arrogancë dhe përçmim ndaj përfshirjes e dialogut qytetar, ndaj ekspertëve dhe transparencës publike. Republika nuk i shërben më qytetarit, ligjet nuk hartohen më për popullin, kushtetuta nuk i përket më sovranit. Jemi në kufijtë e një autokracie parlamentare.
Tranzicioni shqiptar po flirton me dështimin pasi të gjitha indiciet tregojnë që në nivelin demokratik, Shqipëria po rikthehet pas. Ndërkohë që shitësit ambulantë dhunohen në të përditshmen e Tiranës, plotfuqishmëria e përfitueseve të konçesioneve publike si në rastin e Teatrit Kombëtar dëshmon për një hendek gjigand dhe të parikuperueshëm mes popullit dhe pushtetit në Shqipëri.
Qytetari i pari. Ky do të ishte mbase dhe slogani i një Republike të re. Tragjedia qytetare me Teatrin Kombëtar nuk mund të përsëritet më. Arroganca, mendjemadhësia dhe hipokrizia e pushtetarëve të përfshirë - ku primon pa asnjë mëdyshje aktrimi i Kryebashkiakut Veliaj - duhet të marrë fund. Eshtre prekur fundi. Nesër do të luhet teatër me jetët tona, e jo më me pronën publike tonë. Nesër do të jetë tepër vonë. Shteti i qytetarëve ka rënë, Republika ka rënë, ndaj duhet të gjejmë kurajon të kërkojmë sërisht, të parakohshmen por të pa-evitueshmen Republikë të Re !

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...