“Mbrojtja e rendit liberal botëror”

Diel, 26 August 2018 20:14

Nga John McCain

70 vite më parë, kur hartoi planin “Marshall”, (për të ndihmuar Europën pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet ndihmës amerikane), George Marshall e nisi punën duke thënë thjesht: “Situata në botë është shumë serioze.” Kjo është më e vërtetë për vitin 2018 se ç’ka qenë ndonjëherë që pas vitit 1947. Bota po përballet me sfidat më të ndërlikuara në 70 vitet e fundit. Teksa udhëheqësit botërorë na hartojnë të ardhmen politike, ne bëjmë mirë të shohim të shkuarën kolektive.

Udhëheqësit e periudhës së pas-luftës kishin parë me sytë e tyre prishjen e rendit botëror. Ata kishin parë se si tregjet e hapura ishin zëvendësuar nga proteksionizmi dhe varfërimi. Kishin parë se si pasionet etnike dhe nacionaliste çuan drejt dhunës dhe mjerimit. Kishin parë se si ambicia mizore e fuqive të mëdha çoi drejt luftërave dhe gjenocidit. Pas asaj epoke tragjike, udhëheqësit krijuan një rend liberal botëror që solli një epokë të paprecedentë stabiliteti, sigurie dhe begatie.

Ky rend i ri refuzonte parimet që e bënë të mëparshmin të dështojë, atë që bazohej në nacionalizëm etnik, sfera influence dhe imperializëm të llojit “fuqia bën drejtësinë”. Rendi i ri bazohej në vlera universale, të drejta të njeriut, rendin ligjor, në tregtinë e hapur dhe sovranitetin kombëtar. Ky rend liberal nuk ishte rastësi. Ishte fryt i përpjekjeve të pareshtura për të përparuar, për të mbrojtur e për të ruajtur vlerat që formonin themelin e tij.

Tani, e njëjta detyrë u kalon atyre prej nesh që vazhdojnë të besojnë se një botë me demokraci liberale është mundësia më e mirë për të ruajtur stabilitetin, sigurinë dhe për të zgjeruar begatinë.

Në fjalimin e tij, pasi identifikon seriozitetin e situatës së pas-luftës, Gjenerali Marshall shton: “Një nga vështirësitë është se problemi është aq i ndërlikuar, sa masa e fakteve që u jepet publikut nëpërmjet shtypit dhe radios, e bën shumë të vështirë për njeriun e zakonshëm që të bëjë një vlerësim të qartë të situatës”. Sot kemi të njëjtën vështirësi.

Vitet e fundit kemi parë se si janë gërryer themelet e rendit liberal botëror dhe të institucioneve që e mbrojnë. Qytetarë të vendeve të ndryshme janë larguar nga vlerat botërore dhe i janë kthyer vlerave të vjetra të etnisë, racës dhe sektarizmit. Kanë rritur përçmimin ndaj emigrantëve, refugjatëve dhe ndaj pakicave të tjera. Po i kthehen proteksionizmit ekonomik dhe po i japin përparësi karshi integrimit. I janë afruar autoritarizmit dhe kanë përqafuar politikat e udhëheqësve “me dorë të hekurt”. Çfarë është më shqetësuesja, duket se kanë hequr dorë nga vetë liberalizmi, duke tradhtuar vullnetin që nevojitet për të ruajtur çdo lloj rendi botëror.

E kemi parë këtë në rezultatet e votimeve të ndryshme nëpër botë, që nga vota e Brexit në Britani e deri te fuqizimi i lëvizjeve populiste në Gjermani, Francë, Poloni dhe Hungari, dhe, sigurisht, në SHBA gjithashtu, ku votuesit zgjodhën një politikë të jashtme të bazuar mbi parullën “Amerika e Para”, që i ka rrënjët në nacionalizëm dhe proteksionizëm.

Fajet për këtë janë të shumta. Si mbrojtës të rendit liberal botëror, ne nisëm të jemi të vetëkënaqur dhe bëmë gabime. Herë jemi përpjekur të bëjmë më shumë se ç’duhet, herë nuk kemi bërë mjaftueshëm. E humbëm lidhjen me shumë prej njerëzve tanë dhe nuk u treguam të shpejtë për t’i kuptuar vështirësitë e tyre e për t’u përgjigjur në kohë. Tani duhet ta pranojmë këtë realitet. Por kjo nuk do të thotë se duhet të humbim shpresa e të tërhiqemi.

Mos u dorëzoni, por merrni stafetën

Këto dy zgjedhje i kanë ata që në vitin 2018 besojnë në rendin liberal botëror: të pranojnë rrëzimin ose të frymëzojnë ripërtëritjen. Do të lejojmë të gërryhet më tej baza e sigurisë dhe zhvillimit, apo do të angazhohemi për ta bërë të përparojë? Për hir të brezave të ardhshëm, nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të marrim stafetën nga ata që krijuan sistemin më të suksesshëm e më të qëndrueshëm në histori, dhe të bëjmë të mundur që të vazhdojë për 70 vite të tjera e më shumë.

E di që mes aleatëve tanë ka shqetësime të shumta se mos Amerika do ta lërë udhëheqjen botërore. Në kohë të tilla, asnjeri nuk duhet të gabojë e të vërë bast kundër SHBA-ve. Amerika mbetet demokracia më e madhe në botë, me fuqinë më të madhe ushtarake në planet, dhe në thelb vazhdon të ketë vlerat universale që e bënë dikur vendin që përçonte rreze shprese për ata që kërkonin liri.

Kemi mundësinë t’i ndryshojmë prirjet politike të vitit 2018. Ata që duan të mbrojnë rendin liberal botëror, duhet të jenë vigjilentë. Duhet të rigjallërojmë qëllimet tona të përbashkëta morale. Duhet të besojmë se për vlerat tona ia vlen të luftosh.

Marshalli e mbylli fjalimin duke thënë: “Me largpamësinë dhe me vullnetin e fortë të popullit tonë, për t’u përballur me përgjegjësinë e madhe që historia qartësisht ia ka lënë këtij vendi (SHBA), vështirësitë mund të kapërcehen dhe do të kapërcehen.” Historia nuk e ka larguar ende këtë përgjegjësi nga Amerika, por po u bën thirrje atyre që ndajnë të njëjtat vlera demokratike liberale që të bashkohen me çështjen tonë. Së bashku mund të përballemi me sfidat e botës së sotme, të kapërcejmë rreziqet dhe të sigurojmë lirinë për brezat e ardhshëm.

The Economist, Nëntor 2017

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...