Vrasje e ndërsjellë

Tuesday, 25 September 2018 17:28

Ngjarje e jetuar

Nga Qemal SAKAJEVA

Ilmi D. veshi pantallonat, hodhi xhaketën mbi shpatulla, ngjeshi mbi krye kapelen me strehë dhe mbathi këpucët e sheshta kineze. Rroku pushkën diku në qoshe të dhomës, e cila, disave u dukej teke gjahu, kurse ca të tjerë, më të vëmendshëm, e dallonin se ishte armë sportive. Sa herë e përshkonte rrugën mes pallateve te “Komuna e Parisit”, në Tiranë, ashtu me armë, në krah a në dorë, ndonjë fëmijë e ngucte:

-Xhaxhi Ilmi, çfarë do të vrasësh sot?

-Një m… - përgjigjej plaku me fjalë të pistë.

Sa futej mes drurëve e hallakaste vështrimin, në përgjim të gjahut. Kush e vërente ashtu, mendonte vetmevete se, ky i rrjedhur nuk sheh që, në atë ishull gjelbërimi, mbërthyer në darën e ndërtimeve rrethuese që e kërcënojnë paiada, s’ka më mjaftueshëm as zogj për cicërima.

Udhës haste ndonjë të njohur që e pyeste:

-Ilmi, si i ke fëmijët?

-Ilmiu nuk ka më fëmijë, - përgjigjej çuditshëm.

-Po, ti Ilmi…,- nisi të belbëzonte pyetësi, - ti, Ilmi, ke tre djem!

-Tani kam tre Alo! Janë shpërndarë nëpër botë “si me i pa gjuejtë me çifte”, siç e thotë skeçi shkodran.

Diku, te një kosh mbeturinash, Ilmiu pa një kuti kartoni të prishur. Shqeu anën e padëmtuar të saj dhe e mori me vete. Eci sa doli në teposhtëzën e ngrohtë, përballë dushkajës. Pushkën e vari në një degëz të thatë, e thyer, mbetur grrëmç. Nxori nga xhepi stilolapsin me majë të trashë që kullonte bojë të zezë. M’u në qendër të kartonit  shkroi gërmën V të madhe, që e qarkoi me disa rrathë, sa u bënë dhjetë. Pastaj shkoi  te  shkurrja përballë për të ngecur kartonin. Mori armën në çep të bungut, mati largësinë mes kartonit dhe vendqendrimit, që e ndryshonte sipas gjendjes e kthjelltësisë së shikimit. Zuri vend tek duhej dhe mori shenjë m’u në qendër mbi shkronjën V. Pas pak u dëgjua një shkrepje si kollë e thatë. E lëshoi armën mbi bar dhe u çapit për të parë ku kishte goditur. E shtëna kishte kapur jashtë rrathëve. I pakënaqur e qarkoi me ngjyrë, për të mos e ngatërruar me goditjet e tjera. Pasi i kryente të gjitha varavingot, vështronte orën. Kohën nuk e maste më, si dikur, me shpejtësinë e kryerjes së një pune, por me ngadalësinë e përfundimit të çdo veprimi. Kjo u vërejt nga kënaqësia e nderur në fytyrë, gjatë bashkëbisedimit të syve me akrepat e vegjël në fushën e orës. Bukur, pëshpëriti. Sot i kam bërë përgatitjet dhjetë minuta më ngadalë se dje.

Dy të dashuruar u avitën te i moshuari, për të hetuar  nëse ai vuante njeriun, të cilit arma nuk duhet t’i ishte ndarë gjithë jetën.

-Xhaxha, ti duhet të kesh qenë trim?! -  i tha vajza.

-As trim lufte, as lepur shkurresh, - u përgjigj plaku.

-Atëherë, ke qenë oficer? - hamendësoi djali.

-Veç kur na merrnin në sbor kam veshur rrobe ushtarake.

-Xhaxha, paske qënë o gjahtar shpezësh, o gjahtar femrash? - e nguci vajza.

O Zot, sa cullake janë këto çupat e sotme, si nga shtati, si nga mendja, si nga fjala, mendoi.

-Me gjah kurrë nuk jam marrë. Sa për femra, një gjuajta, atë mora. Po nuk rron më.

-Pse bën stërvitje me armë?

-Nuk stërvitem, përpiqem të vras.

Ajo  hapi sytë e frikësuar.

-Cilin vret? Pse ke shkruar gërmën V?!

-V e madhe e kartonit  është Vetmia ime e madhe. Ajo është e qarkuar me dhjetë rrathë mërzie. Unë dhe Vetmia jemi armiq për vdekje. Çdo ditë, të dy, dalim këtu. Ajo më vret mua heshtuarzi. Unë e vras me poterë. Kështu, me këtë lojë luftash, e kaloj më shumë se gjysmë dite.

Dy të rinjtë u vështuan sy më sy.

Ilmiu nxori nga xhepi adresën e vetë.

-Po ta doni, merreni! Kur të dëgjoni se Vetmia më ka vrarë, pushkën për të vazhduar luftën me të ua lë amanet ju. Por frikësohem që vetmia juaj do të jetë më e gjatë se e imja.

Të dashuruarit u larguan kapur dorë për dorë me kryet kthyer pas.

-Të jetë i lajthitur?! - foli djali.

-Mua më duket një i mençur që e vretë vetminë si i lajthitur, - tha vajza.

Dushkaja përthithi krismat pasuese në përpjekje për të goditur përsëri e përsëri mbi gërmën V.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...