Trashëgimia kulturore si hipotekë e shpirtit

Saturday, 29 September 2018 09:09

Nga: Kastriot MARKU

Me rastin e 29 shtatorit - Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

Trashëgimia kulturore përbën një grup të mirash kulturore të “artistizuara”, të cilat për natyrë të rëndësisë së tyre të veçantë historike dhe kulturore kanë interes publik dhe përbëjnë pasurinë e një vendi. Përkufizim i termit ”trashëgimi kulturore” është i kohëve të fundit (vitet 60-të), ardhur si referim terminologjik dhe jo plotësisht shterrues përmes një rruge të gjatë dhe të mundimshme legjislative. Objektet e trashëgimisë kulturore mund të jenë të luajtshme (të transportueshme) ose të paluajtshme (të ankoruara përgjithmonë në vendin për të cilin janë ndërtuar). Trashëgimia kulturore është një realitet dinamik sepse është një tërësi e hapur dhe jo e mbyllur dhe si e tillë jo definitive, por gjithnjë në zgjerim, sepse ajo vijon të jetë pjesë e gjetjeve të vazhdueshme përgjatë kërkimeve në fushën e historisë së artit dhe arkitekturës, arkeologjisë, dokumentacionit arkivor dhe bibliografik të cilat nuk ndërpriten kurrë. Trashëgimia kulturore është para së gjithash dëshmi materiale me vlerën e qytetërimit të përbotshëm, natyrisht kur ai gjendet brenda territorit shqiptar, është pjesë e qytetërimit respektiv. Qytetërimi, historia dhe kultura na bëjnë të kujtojmë se trashëgimia e historike e artistike; monumentet, arkeologjike, arkivore, bibliotekat, peizazhet mjedisore, veprat artistike të prodhuara nga njeriu etj., kanë një vlerë të njohur artistike të papërsëritshme e që e përcjellin atë përmes një konotacioni të fortë estetik dhe ekspresiv njëherësh dhe si të tillë ata i përkasin kulturës dhe bashkësisë që i ka prodhuar, ruajtur e kultivuar si një dëshmi historike autentike e unike njëherësh e që përbëjnë objekt të edukimit estetik, prandaj duhet të jenë objekt i vlerësimit dhe mbrojtjes.

Të dashur miq e dashamirës të mi që e çmoni dhe doni trashëgiminë kulturore shqiptare! Nisur nga gjendja në të cilën është katandisur trashëgimia materiale dhe jomateriale e kulturës shqiptare, ju bëj një thirrje shumë të sinqertë, në trajtën e një lutje dëshpërimi gati-gati në trajtën e një lloj amaneti sikurse lihej qëmoti nga të parët tanë. Sa herë që u jepet rasti që vizitoni, prekni apo shihni monumente të trashëgimisë sonë kulturore materiale dhe jomateriale; objekte nën ose pa mbrojtje paraprake ose objekte nën vrojtim, qoftë ato të paluajtshme që kanë interes artistik, urbanistik, historik, arkeologjik ose etnografik me rëndësi të veçantë. (historike, arkitektonike dhe inxhinierike të banuara ose të pabanuara apo në gjendje rrënoje me vjetërsi mbi 100-vjeçare ose edhe deri para vitit 1944; kështjella, kulla, objekte kulti, ndërtime inxhinierike, ndërtime publike ose të luksit), site arkeologjike, peisazhe apo profile urbane, vila, parqe dhe kopshte, sheshe publike, rrugica, rrugë dhe hapësirat e tjera të hapura urbane, me interes artistik ose historik, si dhe objektet me origjinë nga nëntoka dhe hapësira ujore kombëtare e Republikës së Shqipërisë, si dhe objekte të luajtshme fondet arkivave, bibliotekave, muzeve, të pinakotekave, galerive dhe ekspozitave si: mozaikë, kolana, kapitele, skulptura, piktura murale, ikona, ikonostase, stema, vizatime, grafikat dhe çdo objekt arti pamor,tavane karakteristike, mbishkrime, gurë varresh, dokumente arkivore, dorëshkrime, libra që kanë rëndësi për historinë politike, ushtarake, letrare,  artistike,  shkencore,  teknike,  industriale e kulturore në përgjithësi, që janë dëshmi të identitetit dhe të historisë së institucioneve publike, kolektive ose fetare; dorëshkrimet, autografet, korrespondencat, vizatimet origjinale të arkitekturës dhe librat, vulat, gravurat me teknikë të veçantë, që kanë karakteristika me vlerë dhe janë të rralla, hartat gjeografike dhe partiturat muzikore, periodikë, koleksione numizmatike e filatelike, apo regjistrime audiovizuale (fotografitë me negativat dhe stampat përkatëse, ekzemplarët e veprave kinematografike, audiovizive ose të sekuencave të imazheve në lëvizje, dokumentimi i manifestimeve të realizuara me zë ose verbale), vegla pune, mjete të transportit rrugor ajror e detar si dhe orendi të përdorimit të përditshëm, armë të ftohta apo të zjarrit, mekanizma, makineri ose objekte të përdorimit të përditshëm apo ceremonial, me vlerë artizanale, etnografike ose historike, objektet e prodhuara në mënyrë artizanale, objekte personale të figurave të shquara historike etj., me apo pa një status juridik të certifikuar e të njohur si pasuri kulturore, të cilat kanë interes  artistik,  letrar,  shkencor, historik, urbanistik, arkeologjik dhe etnografik dhe janë në pronësi të institucioneve publike qendrore, njësive të qeverisjes vendore si dhe të çdo enti tjetër e institucioni publik, duke përfshirë bashkësitë fetare të njohura ligjërisht, personat fizikë dhe juridikë privatë, të deklaruara si “monumente kulture” dhe pasuri kulturore, fotografoni, regjistroni dhe postoni ato në rrjetet sociale si një mundësi e mbledhjes së informacionit për të gjitha pasuritë kulturore kombëtare, në pronësi publike e private. Përcillni fotografitë e objekteve, filmimet, skicat, vendndodhjet e tyre, përmasat, peshën, materialin përbërës, vendin e ruajtjes, përshkrimin dhe historikun e secilit objekt gjë që mund të shërbejnë dhe ndihmojnë mjaft mirë për të ndërtuar pasaportën e secilit objekt të trashëgimisë sonë kulturore që po rrënohet çdo ditë. Gjurmimi, konservimi, restaurimi, studimi, inventarizimi dhe katalogimi informatik i objekteve të trashëgimisë sonë kulturore përbën të gjithë hapat e domosdoshëm të cilët duhet të ndiqen për të garantuar mbrojten e tyre. Bëjeni këtë sa për të ruajtur kujtimin e tyre, përpara se “rojet” e këtyre institucioneve që mbahen në punë me pagesa shtetërore të taksapaguesve shqiptarë, t’i zhbëjnë nga lista e regjistrave të inventareve ku ata gjenden e tua mundësojnë kalimin e tyre “koleksionistëve” dhe trafikantëve e matrapazëve për një grusht parash; përpara se kryetarët e bashkive nën juridiksionin e të cilave gjenden, në zbatim të projekteve të mirëkoordinuara me qeverinë qendrore t’i mbyllin ato në beton nën themelet e kullave shumëkateshe. Së paku Instituti i Monumenteve të Kulturës „Gani Strazimiri“, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore, Arkivi i Filmit, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Biblioteka Kombëtare etj., të kenë një mundësi për t‘i inventarizuar këto artefakte si kujtim. Ju ftoj të gjithëve t’i bashkoheni kësaj lutjeje përgjëruese, kësaj kuje kujtese të përvajshme që nesër të mos jetë vonë. Akuzat e drejtuara pushtimeve të huaja, serbe, greke e malazeze, gjermane e italiane; misioneve arkeologjike të huaja para vitit 1944 si shkatërrues, grabitës, vjedhës apo përvetësues të objekteve të trashëgimisë kulturore në territorin shqiptar, mendoj se duhen parë në përpjestim të drejtë me grabitjet, vjedhjet, përvetësimet dhe shkatërrimet e qëllimshme për përfitim ekonomik të bëra nga vetë shqiptarët prej më se një çerek shekulli në demokraci (liri). Postoni pra fotografi nga e ku e sa të mundeni në mënyrë që këtë pasuri që ka mbetur pa zot dhe sa është ende pa u vjedhur e tjetërsuar, apo në mos më keq pa u shkatërruar e asgjësuar përfundimisht pa lënë gjurmë, më e pakta që mund të bëjmë është t’a kemi të ruajtur si provë dëshmitare se ka ekzistuar më një herë e një kohë në ndonjë fotografi, sepse nuk jemi të sigurt për asgjë çfarë po bëhet me to më pas, sepse kushedi se çfarë ndodh nesër, ndaj përpara se të jetë tepër vonë, bëjeni këtë Ju lutem! Bëjeni këtë si shërbim vullnetar dhe qytetar njëherësh për historinë dhe trashëgiminë e popullit e kombit tonë, në mënyrë që brezat që vijnë të kenë se çfarë të mësojnë për historinë e popullit të tyre. Të gjithë ju që keni një dorëshkrim, një dokument me rëndësi publike dhe private, së paku skanojeni, fotografojeni, skedojeni para se t’a dorëzoni në ndonjë vendruajtje arkivore gjasme publike, ngaqë Arkivat shqiptare do të privatizohen me tendera qeveritarë e do t’i lëshohen në dorë urisë së çmendur të biznesmenëve privatë, të cilët do të bëjnë biznes jo pak fitimprurës me kujtesën e këtij kombi! Në mos të botuara ashtu sikurse u ka hije të jenë, të paktën të jetë të ruajtura në strehën arkivistike të Mark Zuckerberg-ut në Facebook apo edhe në Twitter a Instagram a diku tjetër. Bëjeni këtë ju lutem sa më shpejt që të jetë e mundur, përndryshe nesër, nesër do të jetë shumë vonë! Kush nuk e kupton këtë sot, nesër do të ndihet përgjegjës dhe i zënë në faj përballë fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tij. Kush nuk e kupton këtë sot, nuk do të mbërrijë të justifikojë e të bindë askënd nesër për atë që ishim e që atëherë do të mungojë e nuk do të gjendet mbase kurrë më. Kush nuk e kupton dot sot këtë, do të pendohet nesër për detyrën që i’u dha mundësia ta kryejë e që nuk bëri ashtu sikurse duhej, edhe pse me një kosto krejt të vogël. E di sepse shumë prej jush do të mendojnë se me këtë lloj pune falas, do të ushqejnë e justifikojnë vendet e punës së qindra e mijëra rrogëtarë injorantë të administratës publike që jetojnë me thonj të mbërthyer në financat e lodhura të kësaj trashëgime anë e kënd vendit. Ska gjë! Ne bëjmë atë çfarë mundemi në mënyrë që edhe ata të kënë mundësinë të mburren me punën e dikujt tjetër me shpresën se do të mund të dlirin sytë e veshët për disa pak minuta prej zdralës së injorancës që u ka zënë myk në tru. Nga ana tjetër prej një qeverie që blen e tjetërson votën e qytetarëve të vet; prej një qeverie që kandidon dhe dërgon në parlament trafikanë droge dhe qeniesh njerëzore; vrasës dhe hajdutë të pashembullt të financave publike; prej një qeverie që tenderon kujtesën kombëtare duke ua lënë atë në duar biznesmenëve e kriminelëve, nuk mund të pritet veçse rrënimi i institucionalizuar i trashëgimisë kulturore. E dimë të gjithë se në të gjitha mënyrat mund të jetosh e të ndihesh mirë në Shqipëri, por vetëm si intelektual kurrën e kurrës nuk mund të jetosh si i tillë. E them këtë sepse jam plotësisht i bindur se intelektuali shqiptar do të vlerësohet një herë të vetme për atë se çfarë ishte dhe atë se çfarë bëri në jetën e tij profesionale në shërbim dhe në funksion të së mirës publike dhe kjo do të ndodhë pasi ai të ketë ikur nga jeta e këtueshme dhe gjindja e mbetur t'a përcjellë atë më një kortezh mortor me kafe të shumta dhe duhan si dhe përshëndoshje formale kortezie me fjalime e temjan të politikanëve sharlatanë, të denja këto për një harrakat të gjorë që e lëshon shpirti tek shqimi i derës së pijetores se mëhallës, teksa ndihen gogësimat e vaktit të fundit me paqe, pilaf të qofte të paraprira me raki turshi e hudhra, që këta politikanë ia lëshuan për të kaluar vaktet e mjegullura të jetës së tij rutinore për sa kohë që qe klient i rekrutuar prej tyre. Unë jam shqiptar dhe këtë nuk e deklaroj si një gjë të thjeshtë krenarie që më bën të veçantë nga popujt e tjerë, se ne jemi më të mirë se ata. Të jesh shqiptar, për mua është para së gjithash një ndjenjë falënderimi për Etërit tanë, që na kanë pasuruar me gjuhën shqipe, me doket e zakonet, humanizmin, kulturën, artin, tolerancën, me çdo copë guri e dheu që përbën pasurinë që kemi së bashku në këtë vend, me të gjitha ndjesitë, me të gjitha dhimbjet, me të gjitha mësimet, me të gjitha fitoret, me të gjitha humbjet e me të gjitha dobësitë. Të thuash shqiptar, do të thotë të tregosh atësinë sociale, si të thuash mbiemrin, një mbiemër i madh i kombit të GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT dhe NËNË TEREZËS, që e pasuron kontinentin amë, EUROPËN shumëkombëshe me historinë dhe traditat e saj të mrekullueshme unike në shoqërinë e sotme globale. Koha do të vërtetojë nëse kjo ftesë e imja ishte apo nuk ishte e drejtë. Për secilin rast, do të ketë një „ditë gjykimi“ dhe në mënyrë të veçantë për ne intelektualët që herët a vonë do të jemi apo nuk do të jemi këtu kur të ndodhë. Atëherë shumë të tjerë pas nesh mbase me siguri, por mbase edhe me dyshim do e kujtojnë këtë thirrjen time. Mbrojtja e trashëgimisë sonë kulturore nuk bëhet vetëm me retorikë e dëngla më 18 prill dhe më 29 shtator, por bëhet çdo ditë për të na treguar se çdo ditë e vitit është ditë e Trashëgimisë Kulturore dhe jo vetëm një ditë e vetme apo dy e tre ditë apo disa të tilla. Secili prej nesh duhet të luftojmë çdo ditë kundër rrënuesve të kulturës e mbi të gjitha kundër të gjithë atyre që e kanë tagër ligjor mbrojtjen e kësaj trashëgimie dhe nuk e kryejnë sa e si duhet këtë detyrë që u është besuar.

Trashëgimia kulturore është e duhet të jetë hipoteka e shpirtit për gjithsecilin prej nesh e posaçërisht për intelektualin, ndaj kjo është një ftesë, një thirrje, një piskamë shpirti që ka për tagër të vetëm kujtesën, pajën kombëtare që na e lanë të parët, së cilës duhet t’i falemi të gjithë në shqimin e zemrës pa kurrëfarë interesi. Le të punojmë sot që të mos pendohemi mot.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...