Azili i vetëm i maskarenjve të “status-quo”-së

Premte, 30 November 2018 18:56

Nga Ilir Nikolla

A mund të bëjmë sikur gjithçka shkon mirë? Apo se gjithçka po shkon normalisht, as mirë e as keq?

Në fakt, partizanët e vetëm të “status-quo”-së janë ata që presin ndonjë divident prej buxhetit të fundvitit, ata që kanë vënë “shishen në radhën e qumështit” të PPP-ve, për 13 vitet e ardhshme, si dhe nomenklatura e “Rilindjes”, e cila me largimin nga pushteti, s’ka kurrfarë të ardhmeje, përveç ndonjë organizimi partiak në dhomat e ajrimit, ja te 302-i, ja te 313-a. Për të papunët, pensionistët, banorët e fshatit dhe ata që punojnë me pagë minimale as që ia vlen të shqyrtojmë asgjë, ata mezi s’presin që zgjedha e tatimorëve, inspektorëve të zyrave të punës dhe inspektorëve të AKU-së a Sigurimeve Shoqërore, të sfumohet një orë e më parë. Për të tjerët, që kanë një të ardhur nëpër qytete, perspektiva s’është hiç e mirë, dhe rritja e tatimit mbi pagat, rritja e gjobave nga tatimorët dhe rruspat që rrezikojnë një numër të lartë familjesh (llogariten rreth 5 mijë) brenda Unazës së Vogël, në Allias, Laprakë, tek Treshi, në Institut, Paskuqan, Kashar e Linzë, s’ka tjetër ilaç përveç përpjekjeve për prishjen e “status-quo”-së.
Mes kësaj urgjence për ndryshim dhe hapave civilë që do ta mundësonin këtë, ekzistojnë dy pengesa të mëdha: Propaganda qeveritare si dhe emigracioni.
Mbi propagandën kemi folur mjaft dhe e dimë se fondet e Ramës janë të shumta, superstruktura mediatike është me të dhe në radhët e gazetarisë është rritur tashmë një radhë qehajajsh që punojnë edhe gratis për “çështjen”. Ndaj kësaj “kapriate”, mbi të cilën Rama ndërton godinën efikase të vjellje-mesazhit, inxhinierët thonë se teknikisht duhen goditur nyjet e presionit. Pra, propagandistët me valencën më të lartë, ata që bëjnë shërbimet më të ndyra dhe themelet që luajnë përcjellësit direktë nga zyra e kryeministrit, tek dispeçerit e Kapriatës. Duhet prishur “par condicio” që trashëgohet prej kohësh se politika nuk përzihet në punët e medias. Realisht s’kemi të bëjmë më me media dhe forcat kundër “status-quo”-së duhet të bëjnë tentativat e tyre për të neutralizuar segmentet e propagandës.
Pengesa e dytë shtesë në prishjen e ekuilibrit, ajo e propagandës, ka të bëjë në fakt me të parën. E njëjta kapriatë që shërben për të përçuar vjellje-mesazhin kudo, shërben edhe për t’u thënë të margjinalizuarve, se në Gjermani mund të nisësh punë edhe pa pasur vizë, se në SHBA, mund të rrish edhe me vizë turistike, apo se në Britani mund të qendrosh pa asnjë dokument, mjaft që të kalosh “La Manshe”-in. Ky investim antikombëtar mund të jetë zgjidhje për qindra mijë individë, por është edhe investim i vogël për partizanët e “status-quo”-së. Ikin ata që s’janë në punë, ata që përndiqen nga qeveria apo nga narko-celulat, si dhe të pashpresë të tjerë të këtij vendi.
Këto dy armë të fuqishme, së bashku me nacionalizmin bajat, janë streha e fundit e maskarenjve të “status-quo”-së. Ndaj tyre, shërben veç shumëfishimi I vatrave të protestës si dhe ndërmarrja e një beteje asimetrike kundër kapriatës propagandistike që po rrënon median në Shqipëri. Të shohësh media qendrore që I paraqesin dy karakatina që shërbenin si strehim I taksive ilegale në Sheshin Shqiponja për shtëpi të Unazës së Re, është thjesht të konstatosh se aksh media qendrore është shndërruar në zgjatim të zyrës kancerogjene të Erion Veliajt. S’ka vend për asnjë skrupull në këtë vendim. Nëse e duam ndryshimin, duhet ta godasim Kapriatën që Rama ka ndërtuar në media. Përndryshe, putinizmi është një hap dhe ithtarë të tjerë të ndryshimit do detyrohen të braktisin betejën për t’ju bashkuar adresave që propaganda shpërndan për ekzilin. 

Modifikuar më Saturday, 01 December 2018 10:13
Login to post comments