Edhe një pikë dhe kupa e mbushur buzë më buzë fillon e zbrazet

E mërkurë, 13 February 2019 19:08

Nga Eden Babani, Bruksel

Protesta e paralajmëruar e së shtunës 16 shkurt ka vënë në lëvizje gjithë opinionin publik shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. S’ kishte sesi të ndodhte ndryshe, përderisa bash në pikën e vlimit të situatës politike, tashmë janë hedhur zaret lidhur me fatin e së ardhmes së demokracisë në vendin tonë. Nuk është rasti, madje edhe koha nuk ndalet një grimë që të na presë të shkruajmë e të rishkruajmë dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të një qeverie të paligjshme, ardhur në pushtet me blerje votash. Tashmë ato dihen mirëfilli prej gjithë qytetarëve të Shqipërisë, pavarësisht përkatësive politike majtas ose djathtas të secilit syresh. Kësisoj, them se do të ishte e mjaftueshme dhe gjithëpërfshirëse shprehja se thika u  ka shkuar atyre deri në kocke, në vendlindje qofshim a në diasporë. Kupa, pra, është mbushur plot. Veç një pikë më tepër, dhe ajo fillon e zbrazet.

Në të tilla kushte nuk më befasojnë as besueshmëria se 16 shkurti do ta çonte brenda ditës Kryeministrin Rama në pension politik, as hije dyshimesh të hedhura vend e pavend për kinse pazare të liderit të opozitës, Lulzim Bashës, duke iu referuar enigmës së marrëveshjes së qershorit 2017. Madje, nuk më befason aspak edhe ideja e hedhur dhe e përpunuar herë me dashje dhe herë pa dashje në skenën mediatike shqiptare, lidhur me “mosbesimin e ndërsjellë” PD-LSI. Mua, do të më mjaftonte qoftë edhe vetëm vrasja e frikës ndaj një llahtari pafund, që po na e nxit qeverisja aktuale çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Kjo do të ishte sipas meje fitore sa e pritshme, aq edhe e sigurtë e opozitës së bashkuar në planin politik, edhe sikur të funksionojë bllokimi i rrugëve dhe i autostradave, siç po bëhet me dije sot. Të tjerat, shkallë-shkallë dhe një e nga një. Sepse rënia e diktaturave, sikundër edhe regjimi tashmë i instaluar në pushtet i klaneve “rilindëse”, kalon përmes procesesh e zigzagesh politike shpesh të paparashikuara, çka parakupton elasticitet politik nga ana e opozitave, që të mos degradohet procesi e të mos kalohet në dhunë të njërës palë ndaj tjetrës.

Në vetvete, nuk jam i prirë të besoj në ide “konspirative”, domethënë në garanci që mund të ketë marrë opozita e bashkuar përmes kanaleve të saj të nëndheshme me segmente të caktuara të komunitetit ndërkombëtar, siç pëshpëritet në rrethe të mbyllura si andej, buzë Adriatikut, ashtu edhe këtej, në shtjellat e vranësirave euroatlantike. Që rrugët e padukshme të konspiracionit kanë ekzistuar qysh në krye të herës së historisë së njerëzimit dhe që ato janë përsosur sot deri në tejskaj, kjo dihet botërisht. Por sot për sot kjo është histori tjetër, që mbase e ardhmja do ta ndriçojë. Në rastin tonë, s’ka pse të kërkojmë halë në përpeq. Gjithçka tek ne është e qartë si në dritë të diellit, qoftë sa i takon rrafshit politik, qoftë atij ekonomik, qoftë atij të sigurisë, të shëndetësisë, të arsimit e të kulturës, qoftë edhe të çka ta ka ënda të shtosh tjetër. Gjithçka te ne është e përmbysur kokëposhtë, kurse komunitetit ndërkombëtar ka sy e shikon, ka veshë e dëgjon, mbase më mirë edhe sesa sytë tanë të mjegulluar, më mirë sesa veshët tanë të taposur apo sesa kokat tona të trullosura nga përditësimi halleve pafund, teksa halli hallit nuk i ngjan.

Jam i bindur katërçipërisht për gjithë sa më sipër. Bindjen time nuk e luan as topi, pale do përçartje mediatike si ato të tipit spartakngjela, të cilin e rren mendja se i di të gjitha punët nga Amerika, në Rusi, e Kinë; nga reforma jonë në drejtësi, te korrupsioni i pushteteve dhe i opozitave në Shqipëri, në Kosovë e në gjithë Gadishullin Ballkanik, përfshirë edhe Turqinë e Lindjen e Mesme toptan. Përçartje të atilla që bien ndesh me vetveten, le që nuk i shkulin dot një qime lëkurës së ariut (lexo: protestës së 16 shkurtit), por dashur-padashur u japin besueshmëri analistëve me reputacion mbarëkombëtar si, fjala vjen, gazetares me integritet të padiskutueshëm, Sonila Meço, së cilës avokati sharlatan sapo i është sulur me një lumë akuzash që vetëm pështjellojnë mendjet e publikut të painformuar ose të keqinformuar.

Kam ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet e liderëve të opozitës së bashkuar, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Për mua që jetoj larg vendlindjes, ato kanë qenë shpresëdhënëse në kuadrin e përgjithshëm të protestës së pritshme. Gjithsesi, do të veçoja lëvizjet për gjatë më shumë sesa një orë në këmbë të Bashës në Vlorë dhe në Pogradec. Jo për faktin se elektorati pogradecar ka qenë i zhbalancuar në këta tridhjetë vjet të pluralizmit politik. As sepse Vlora ka anuar gjatë kësaj kohe më tepër majtas sesa djathtas. Por sepse, denbabaden korçar e devolli, pak edhe pogradecar (për rrjedhojë), e njoh mentalitetin demokratik të banorëve të atyre viseve. Ata u binden vetëm vullneteve vetjake, në përkatësi me mbarëvajtjen e punëve të tyre dhe të familjeve të tyre. Ashtu edhe për Vlorën, ngase ndihem edhe ca vlonjat, meqë atje kam kaluar vitet më të bukura të rinisë sime të hershme. Vlora ashtu është prerë denbabaden. Sa me Ballin Kombëtar, aq edhe me Partinë Komuniste, gjatë Luftës. Sa me pushtetin gjatë regjimit të Enver Hoxhës, aq edhe kundër tij, me sa e sa të vrarë si kundërshtarë të regjimit, me sa e sa të ndrydhur burgjeve të diktaturës a të internuar anekënd vendit. Sa majtas, aq edhe djathtas gjatë viteve të pluralizmit politik....

Ama frika tashmë është vrarë përfundimisht. Është vrarë në Vlorë, në Pogradec, në Mirditë, në Elbasan, në Korçës, në Gjirokastër, në Myzeqe e gjetkë e gjetkë. Edhe sikur hiç të mos ndjejë Kryeministri Rama nga protesta, sado që zhvillimi ngjarjeve flet për të kundërtën, së paku faktorizimi i protestuesve, pavarësisht numrit të tyre 200-100-ose-20-mijë, do të vërë në dukje numrin e vjedhur të votave, përkatësisht me numrin e karrigeve që kanë zënë në Parlament deputetë të paligjshëm të mazhorancës “rilindëse”, siç vërente me tepër elegancë gazetareske Ilir Nikolla në një shkrim të dy a tri ditëve përpara.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...