Nga Izmira Ulqinaku
Sot shqiptarët e kanë krejt të qartë se prezenca e Edi Ramës në krye të qeverisjes sjell më shumë varfëri, më pak rend dhe siguri. Qeverisja e Edi Ramës është kthyer në qeverisjen e rekordeve përsa i takon skandaleve, abuzimeve dhe korrupsionit. Ashtu siç shpreheshin mjaft qytetarë në protestën e pak ditëve më parë në Shkodër: çfarë zullumi tjetër i ka mbetur pa bërë kësaj qeverie?! Nga firmat fantazëm me dokumente fallco që përfitojnë miliona euro, tek kompania fantazëm e aviacionit, nga ministrat e superkorruptuar e të zhytur në trafik droge, tek imoraliteti dhe imazhi më i turpshëm nga efektivë të rendit. Dhe e gjitha kjo e ka një arsye, e gjitha kjo ndodh për faktin se kemi të bëjmë me një qeveri, e cila nuk ka buruar nga vota popullore, por ka buruar nga bashkëpunimi me bandat kriminale, me krimin e organizuar me të cilin ka marrë pushtetin dhe është e detyruar ta ndajë me të. Tashmë këtë nuk e themi më vetëm ne, por kjo gjë po pranohet nga të gjithë, madje edhe nga media ndërkombëtare, tani është krejtësisht e qartë se kemi një qeveri që ka ardhur në pushtet vetëm me trafik votash. Përgjimet e fushatës së 2017, të cilat u bënë publike nga VOA javët e fundit, vërtetuan se mazhoranca kishte blerë vota masivisht me paratë dhe presionin e krimit. Partia Demokratike e ka faktuar prej kohësh, sidomos me rastet flagrante në Korçë, Dibër e sidomos siç po faktohet edhe tani në Durrës, për të cilat nuk u mor dhe nuk u lejua të përfundonte asnjë hetim, sepse ky që drejton nuk mund të fitonte ndryshe, madje as që do të lejojë të votohet ndryshe sa të jetë në atë karrige. Manipulimi i zgjedhjeve përmes shantazheve dhe blerjeve të votës janë e vetmja formulë e fitores së kryeministrit të tepsisë. Ky është dhe burimi i gjitha të këqijave, që e ka futur vendin në një krizë të thellë sociale dhe ekonomike. Prandaj, ftesa që opozita e bashkuar i bën qytetarëve shqiptarë për pjesmarrje në protestën e 16 shkurtit, nuk është një kërkesë, thjeshtë për të mbështetur opozitën, por është një thirrje për të shpëtuar këtë vend nga kriza, një nga më të rëndat ku e ka zhytur kjo qeveri. Si asnjëherë më parë qytetarët e këtij vendi kanë të drejtën e Zotit të protestojnë ndaj kësaj keq-qeverisje që po përjeton mbarë Shqipëria. Duhet të protestojmë për varfërinë që është ulur këmbëkryq në shtëpitë e familjet e mijëra shqiptarëve. Gjithësecili duhet t’i bëjë pyetje vetes: A na është përmirësuar këto vite gjëndja ekonomike, a mund të blejmë më shumë se disa vite më parë, a kemi më shumë punë, a po na shërbejnë më mirë? Tërë këto pyetje për të gjithë ne marrin vetëm përgjigje negative. Sepse s’ ka punë, s’na kanë dhënë asnjë mundësi për të ecur përpara. Korrupsioni është bërë i vetmi standard i mkësaj qeverisjeje. Sepse këtij kryeministri dhe bandës së tij i intereson vetëm një gjë, vjedhja përmes korrupsionit për të paguar krimin, si e vetmja mënyrë për të qendruar në pushtet. Prandaj varfëria dhe tërë pasojat saj bien mbi çdo shtresë shoqërore. Që në fillim të këtij viti me projekt buxhetin e miratuar na kanë treguar qartë se nuk ka asnjë rritje për pagat dhe pensionet, nuk ka shpresë për punësim dhe qindra familje nevojtare janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Dhjetra mijëra qytetarë shqiptarë vidhen përditë me çmimin e naftës më të lartin në Europë, me çmimin e energjisë më të lartin në rajon. Vetëm sipas shifrave të INSTATIT të tyre 50 biznese mbyllen çdo ditë. Duhet të protestojmë për pensionistët që vuajnë për bukën e gojës, sepse me pensionet që kanë pasi paguajnë dritat, ujin, qeranë, nuk u ngelet para për bukë. Gjatë viteve të qeverisjes së këtij kryeministri, qindra mijëra shqiptarë kanë ikur jashtë në kërkim të një jete më të mirë e më të sigurt. Po largohet pjesa më vitale e këtij populli. Edi Rama, pa dyshim që do të hyjë në histori si kryeministri i emigracionit, pasi po e detyron rininë shqiptare të largohet, të braktisë vendin, sepse nuk ka më shpresë për të gjetur një punë e për të bërë një jetë dinjitoze. E kam theksuar edhe më përpara, ashtu si dhe shumë të tjerë, dëmi më i madh është vrasja e shpresës. Shqiptarët kanë humbur shpresën, qindra mijëra kanë braktisur vendin dhe të tjerë bëhen gati ta braktisin më mundësinë më të parë që u jepet. Si asnjëherë më parë, shqiptarët e në veçanti, bashkëqytetarët e mi, shkodranët, kanë arsye të protestojnë edhe për mungesën e rendit e të sigurisë. Duhet t’i bashkohemi protestës, jo vetëm për varfërinë, por edhe për frikën që kanë përhapur në qytetin tonë bandat dhe kriminelët, të cilët mbrohen nga pushteti. Këtë e tregoi dhe vetë ministri i brendshëm pak ditë më parë në Shkodër, i cili në vend që të merrej me aktet e turpshme të efektivave të tij, justifikohej se nuk ka denoncues. Ndërkohë që viktimat shantazhohen për të mos denoncuar. Pasiguria ndihet kudo, në rrugë, por edhe në Institucione. E shohim qartë, sesi biznesi vuan çdo ditë dhunën fiskale, gjobëvënëse dhe korruptive të bandave të inspektuesve. Biznesi i ndershëm dhe puna e ndershme në treg të tërhiqet, mbyllet, sepse vendin e tyre e kanë zënë banditët me paratë e tyre të drogës dhe krimit.
Prandaj, si deputete e Shkodrës e qytetit të njerëzve të lirë, të qytetit simbol të demokracisë shqiptare, ftoj bashkëqytetarët e mi, por edhe gjithë shqiptarët që të bashkohen në protestën e 16 shkurtit, të bëhemi të gjithë bashkë, jo vetëm për të hequr qafe këtë keqqeverisje, por edhe që së bashku t’i hapim rrugën ndryshimit që do të sjellë mirëqenie dhe stabilitet. Heshtjen dhe indiferencën nuk do të na e falin brezat e ardhshëm. Duhet të ngremë zërin e protestës në mënyrë që me heshtje dhe indiferencë të mos i zgjatet jeta kësaj qeverie që po zhvat çdo ditë dhe po rrënon të ardhmen. 16 shkurti nuk është dita e demokratëve, por duhet të jetë dita e të gjithë shqiptarëve që duan të jetojnë në këtë vend, që duan të heqin këtë të keqe që ka nxirë të sotmen dhe po vret të ardhmen.