Opozita proteston kundër qeverisë e kryeministrit Rama. Protestuesit kaluan të shtunën nga Kryeministria në Parlament, ku pati përleshje me policinë dhe të plagosur nga të dyja palët. Policia përdori gazin lotsjellës.
Opozita dhe mbështetësit e saj filluan në Tiranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe përballë Kryeministrisë protestën e tyre të 9-të në serinë e protestave antiqeveritare të filluara në mesin e shkurtit të kaluar dhe të parën që filloi në orët e para të mbrëmjes.
Mijëra pjesëmarrës në protestë kanë mbajtur parulla antiqeveritare, ku kërkojnë largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij. Disa protestues, në rreshtin e parë, përballë Kryeministrisë hodhën shashka dhe fishekzjarrë tymues duke mbuluar me tym mjedisin para Kryeministrisë. Ata thyen kordonin e policisë që mbron hyrjen kryesore të Kryeministrisë, nga ana e Bulevardit, por u ndaluan nga policia ende pa tentuar të hapnin derën kryesore hyrëse të Kryeministrisë.
Protestuesit mbrohen nga shiu me çadra të zeza ,ku është shkruajtur me shkronja në ngjyrë të bardhë fjala ‘IK’ pjesë e parullave dhe thirrjeve të tyre mbizotëruese ‘Rama ik’.
Në fjalën që mbajti para protestuesve, lideri i PD, Lulzim Basha, bëri thirrje për ‘rotacion të menjëhershëm politik’ dhe kërkoi formimin e një qeverie kalimtare pa Ramën, për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.
Protestuesit kaluan nga Kryeministria në Parlament ku pati përleshje me policinë dhe të plagosur nga të dyja palët. Policia përdori gaz lotsjellës. /DW