ARTUR ZHEJI
Kemi opozitë, kemi pro testë, kemi vëmendje ndërkombëtare, kemi zullum qeveritar, njerëzit kanë pa dyshim një shpresë apo një iluzion të ri. Të gjitha këto arritje, duke nisur nga 16 shkurti dhe djegia e mandateve, janë të dukshme, të ndjeshme dhe të prekshme, qartë dhe pastër e në 3D.
Trysnia opozitare ka nxjerrë në pah dobësinë e nervave të shumicës, metodat trashanike dhe me ngjyrën gri të regjimit policor, me gaz dhe arrestime në masë, gjithmonë në mbrojtje dhe gjithmonë nga skandali në skandal. Nga 20 milionët për km të Damian Gjiknurit, te shpartallimi i Aeroportit të Rinasit dhe te vjedhja e miliona eurove, nga gangsterët gjenialë, nën hundën e strukturave që kanë harxhuar edhe ato miliona euro, në aparatura e trajnime dhe sigurisht edhe mjaft vila jashtë qytetit të titullarëve të pasur, me “tepricat” e bollshme të tenderëve të shumtë.
Mirëpo, përpos protestës, shqiptarët duhet të shohin të nesërmen pas krizës, alternativën opozitare dhe jo vetëm buldozerin e britmës “Rama ik!” dhe klithmën kumbuese të pakënaqësisë, që të nesërmen e protestës rikthehet duarzbrazur në shtëpi.
Janë të paktën 5 pika të pasqaruara dhe që duhet të jenë kthjellësisht para syve të shqiptarëve zoti Basha, sepse tik-taku i kohës politike të protestave, e kryen herët a vonë ciklin e saj dialektik.
E para, si do të jetë “qeveria kalimtare” që ju kërkoni? Një qeveri e Partisë Socialiste, minus Ramën Kryeministër? Nëse kjo mbërrihet, apo është në rrugë e sipër, cilat do të jenë detyrat e saj dhe sa do të jetë kohëzgjatja e saj dhe kush do ta përcaktojë këtë?
E dyta. Reforma në Drejtësi është sot e gjithë ditën, një reformë drejt kapjes, por po ecën përpara nëpërmjet një “kapjeje” me forma të shtrembëruara ligjore, duke u mbështetur rrejshëm në një Reformë Kushtetuese që e keni votuar symbyllur me shumicë absolute, me 140 nga 140 votat që ka Kuvendi i Shqipërisë. Si do të mund zhbëhet kjo ngrehinë juridike, që ia dhuruat pushtetit të sotëm?
E treta, shqiptarët që ju besojnë dhe që janë përditë më të shumtë, duan dhe kanë të drejtë të dinë cilat do të jenë të paktën 5 reformat e para që do të bëni në 100 ditët e para të qeverisë dhe qeverisjes suaj alternative? Kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër taksave të larta, për depolitizimin e Policisë, për shkollimin dhe studentët që kanë “ngecur” në sistemin tonë arsimor, sepse nuk shkollohen dot jashtë Shqipërisë?
E katërta. Qershori është pas dere dhe KMja duket se nuk i njeh vetes rrugëdalje tjetër, përveçse të shkojë para kutive të votimit, kinse ju nuk ekzistoni politikisht. Cili do të ishte “ultimatumi” juaj politik ndaj një kokëkrisjeje të tillë të qeverisë së sotme, që fshihet prapa fasadës së Kushtetutës dhe të ligjeve zgjedhore?
Ju keni deklaruar disa herë se nuk do të hyni në zgjedhje me Ramën Kryeministër, por kjo krijon një lloj simetrie me tezën kryeministrore: “Zgjedhjet janë të hapura, kush të dojë të hyjë, hyn”, sepse janë shqiptarët që zgjedhin dhe jo partitë politike. Si dilet nga ky ngërç? Vetëm më forcën dhe buldozerin e protestave? Personalisht, mendoj se tanimë kjo është e pamjaftueshme, opozita e bashkuar (PD, LSI, PDIU, PAA, PR e të tjerë) e rrëfyen bollshëm forcën e numrave të tyre, sondazhet e pavarura gjithashtu, tani pra, krahas “gjeneralëve” të protestës, duhet të hyjnë në skenë: politikanët. Me planet përkatëse: A, B, C.
E pesta. Loja taktike e KM-së është tashmë e qartë. Ai ka lënë të vetëm përballë jush vetëm ministrin e Brendshëm, Lleshajn, dhe ndonjë shpërthim sporadik e fyes të Erion Braçes, duke iu shmangur me djallëzi përballjes direkte. Kjo, sepse ai e njeh dobësinë e madhe që po kalon në këtë periudhë, në pritje të qershorit. Qershori zoti Basha, është dyfish i rrezikshëm për opozitën, e para është data kushtetuese e zgjedhjeve dhe e dyta, shqiptarët në qershor, në shumicë të tyre, heqin spinën dhe derdhen në det, në mal apo në katunde, duke boshatisur Tiranën.
Ju duhet të gjeni formën të mos ia lejoni këtë luks taktik KM-së, sepse është krejt në favorin e tij që të sorollatet herë në Arabi Saudite e herë në Kuvajt e Qatar, duke ngrënë hurma Arabie dhe duke shijuar banketet e sheikëve, ndërkohë që protestuesit gdhihen të helmuar me gaz dhe spitaleve.
Duhet urgjentisht të gjendet mekanizmi që KM-së t’i hiqet ky luks dhe të mos i jepet paqe asnjë ditë, nëse mundeni, përndryshe kjo maratonë vështirë të fitohet deri në vjeshtë, si dhe e keni shpallur.