Tangoja e fundit në Paris

Premte, 17 May 2019 12:53

Nga Veton Surroi

 

Vazhdimi i politikës së jashtme të dështuar kosovare është antagonizimi i paralajmëruar me Gjermaninë e Francën

 

1.

Është provokim, natyrisht, që të përdor titullin e njërit prej filmave kult të shekullit XX, “Tangoja e fundit në Paris”, si hyrje për shpjegimin e mendimit, zakonisht primitiv, të Hashim Thaçit dhe dy a tre përkrahësve të tij që dalin në opinion publik ka dy javë për të shpjeguar se si ideja e presidentit të Serbisë për një vijë të re ndarëse mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan nuk ka vdekur.

Në interpretimin e Thaçit dhe përkrahësve të tij - një ulje e mëtejme e pragut të poshtëm të ofendimit ndaj inteligjencës së qytetarëve në Shqipëri e Kosovë - ideja e presidentit të Serbisë për ndarje të Kosovës dhe këmbim territoresh e popullatash që në gjuhën substandarde shqipe të Thaçit dhe përkrahësve të tij quhet “korrigjim kufijsh” apo tash “korrigjim i padrejtësive historike” nuk ka përfunduar në Berlin, në Samitin e kryesuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.

Përkundrazi, ajo që ka ndodhur në Berlin është pak a shumë vdekja e rolit të Gjermanisë, shtet i cili në fjalët e presidentit të Kosovës nuk ka ide, guxim, angazhim dhe aftësi për të koordinuar asnjë gjë; një vetëpërshkrim brilant i arrogancës së primitivizmit.

Dhe, në fjalët e këshilltarit të tij të parë, e njëjta gjë do të ndodhë në Paris, më 1 korrik, në takimin e radhës të kryesuar nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel. Sipas tij, ky do të jetë dështimi i radhës i mungesës së kapacitetit të shteteve evropiane (qoftë edhe këto dy që përbëjnë boshtin e asaj që është BE-ja e sotme) për të gjetur një zgjidhje për një problem evropian, atë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Paris, sipas këtij përshkrimi, do të luhet “tangoja e fundit” e binomit Gjermani-Francë. Pra, edhe Franca do të dëshmojë, me fjalët e presidentit dhe rrethit të tij, se ka kaq guxim, ide, vizion dhe kapacitet organizativ sa Gjermania, dhe rrjedhimisht do të shënohet dështimi. Pastaj do të shkohet në Bruksel, vend i njohur për dështime të deritanishme: ky është kryeqyteti që gjatë dhjetëvjetëshit të kaluar i bën ritualisht veshët e shurdhër çdoherë kur Hashim Thaçi dhe përkrahësit e tij shpallin se janë liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës.

Dhe kështu, dështim pas dështimi, në këtë rrëfim një ditë do të blihen biletat për në Amerikë, ku do të zgjidhen të gjitha problemet. Natyrisht, gjatë mandatit të mbetur të zonjës Mogherini, e cila duhet të çojë në Washington frytin e punës së deritanishme hartografike.

2.

Ky nuk është thjeshtësim stilistik i shprehjes së Thaçit dhe përkrahësve të tij; argumentimi i tyre është edhe më brutal se kaq. Burimi i kësaj arrogance mund të jetë fakti se tashmë u dekonspirua projekti i presidentit të Serbisë apo se dekonspirimi po shërben për konfliktet e brendshme politike në Kosovë, madje edhe në Shqipëri. Apo, burimi mund të jetë në faktin se pa projektin e këmbimit të territoreve, roli i Thaçit bëhet i padobishëm. Sipas fjalëve të shefit të diplomacisë serbe, Daçiq, procesi i Brukselit, të cilin e legjitimoi Hashim Thaçi pa e pyetur askënd në Kosovë, e riktheu Serbinë në lojë pas debaklit të politikës së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndërkaq, sipas fjalëve të presidentit serb, pas Samitit të Berlinit ka vdekur ideja e tij për kufijtë e rinj etnikë shqiptaro-serbë. Meqë procesi i Brukselit - në të cilin Hashim Thaçi nënshkroi se do të themelojë autonominë territoriale-politike serbe në Kosovë - është tashmë i paralizuar, ndërsa ideja për “korrigjim të padrejtësive historike” me rol prijës të Thaçit është quajtur e vdekur nga presidenti i Serbisë, për çka nevojitet më Thaçi?

Nga ky këndvështrim bëhet më e kuptueshme (jo në sensin e miratimit, por të racionalizimit të fakteve) harbutëria e drejtuar drejt Gjermanisë dhe kancelares Merkel, e pastaj, si dëme kolaterale kushdo që të dalë përpara - Macroni, BE-ja dhe çdo zë brenda e jashtë vendit që nuk pajtohet me Thaçin dhe përkrahësit e tij.

3.

Thaçi e përkrahësit e tij janë nisur për të kompensuar të gjitha dështimet e tyre - një listë monumentale e mendjecektësisë dhjetëvjeçare në politikë të jashtme të vënë nën nivelin e debatit të shitores së kooperativës bujqësore të Malizhganit - duke vënë bast në një numër ruleti, atë që do ta shpallë eventualisht në një moment presidenti amerikan apo këshilltari i sigurisë së tij kombëtare. Ky është edhe një përcaktim dritëshkurtër ngase mbështetet në dy antagonizma që janë fatalë për Kosovën. I pari është presupozimi se Kosova duhet të antagonizohet me Gjermaninë e Francën në mënyrë që të duket më e favorshme për Amerikën. Dhe i dyti është se Amerika duhet të antagonizohet me Gjermaninë e Francën në mënyrë që Kosova ta shohë hairin.

Në fakt, politika e Kosovës duhet të jetë krejtësisht e kundërt. Duhet të përqendrohet në konsensusin, i cili do të krijohet në qëndrimet e Francës dhe Gjermanisë, dhe konsensusin mes këtyre të dyjave dhe Washingtonit zyrtar. Mbrojtja e Kosovës, çlirimi i saj dhe pavarësia e vendit qenë të mundura vetëm kur ishte e unifikuar politika evropiane (në radhë të parë e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë) dhe vetëm kur kishte unitet transatlantik, pra kur Washingtoni dhe fuqitë evropiane folën me një zë dhe vepruan njësoj.

Ideja se Kosova do të përfitojë me thellimin e dallimeve transatlantike i ka dy efekte imediate. Një, e vendos edhe më Kosovën në listën jo të vogël të përfitimeve gjeopolitike ruse. Dhe dy, largon vëmendjen nga procesi që ka filluar në Berlin, vazhdon në Paris dhe do të ketë një kontinuitet të vetin të veçantë.

4.

Për të vazhduar me metaforën e vallëzimit, ajo çka ndodhi në Berlin dhe çka është e mundur të vazhdojë në Paris quhet koreografi. Pra, është përpjekje për të ushtruar hapat e një vallëzimi. Vallëzimi për të cilin do ushtruar duhet të jetë një që është më serioz, ambicioz dhe frytdhënës sesa ka qenë “vallëzimi i normalizimit”, i cili në konsekuencën e vet të fundit të mungesës së parimeve solli edhe projektin thellësisht antievropian të këmbimit të territoreve dhe popullsive.

Thaçi dhe përkrahësit e tij mund të mos e kenë kuptuar këtë; nuk do të ishte hera e parë. Por, spektri politik në Kosovë bën mirë që t’i kushtojë vëmendje. Tash është momenti kur duhet të vendosen parimet për koreografinë e re, në mënyrë që të tejkalohet improvizimi i “normalizimit”, dhe politika kosovare bën mirë po të krijojë një qëndrim konsensual sugjerimesh që do të donte t’i shihte në procesin që po ndërtohet.

Në Paris nuk do të ndodhë tangoja e fundit. Do të fillohet të mësohen hapat për një tango tjetër.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...