Meta ofroi shansin për zgjidhjen e krizës politike brenda vendit

Premte, 24 May 2019 11:27

Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Përfaqësuesit e kolacionit CDU-CSU të Qeverisë Gjermane të Merkel hodhën hapin e parë për ndërmjetësim në zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Kjo do thotë se kriza politike shqiptare dhe paaftësia dhe papërgjegjshmëria e prodhuesve të saj për ta zgjidhur vetë me mjetet dhe rrugët e duhura po bëhet shqetësim serioz ndërkombëtar.

Tanimë edhe për ata që shohin dhe që nuk shohin, edhe për ata që dëgjojnë dhe që nuk dëgjojnë, edhe për ata që duan dhe që nuk duan, edhe për ata të brëndshmit dhe ndërkombëtarët po bëhet krejtësisht e qartë se Shqipëria po përjeton një cikël të rrezikshëm krize politike, institucionale, ekonomike, sociale, rajonale dhe integruese. Në të gjitha këto rrafshe krize, spiralja politike është determinuesja. Të gjitha aktorët kryesorë politik të vendit fajësojnë kundërshtarët për dështimet dhe mburrin veteveten për arritjet. Për dikë mund të jetë gjë e re, për autorin e këtyre rrjeshtave nuk është aspak e tillë.

Krizat bashkëshoqërojnë cdo sistem dhe cdo shoqëri, duke mos perjashtuar edhe sistemin dhe shoqërinë demokratike. Vecori e sistemit të konsoliduar demokratik është se i konsideron krizat shëndetsim të demokracisë, vetëkorrigjim të saj, lëvizje, ndryshim dhe shans për zhvillim. Dallimi midis demokracive të konsoliduara dhe atyre hibride është se të parat bien në kriza, por kanë aftësinë dhe përgjegjshmërinë për të gjetur zgjidhjen e duhur me mjete të duhura brënda vëndit, të dytat bien në kriza dhe nuk kanë as aftësinë dhe as përgjegjshmërinë për t’i zgjidhur ato vetë, pa nevojën e ndërhyrjes të faktorëve të jashtëm.

Në mjedisin e krizës politike shqiptare, tejet të polarizuar dhe të toksikuar palët kryesorë të politikës nuk po e konsiderojnë rëndësinë e madhe që ka zgjidhja e krizës politike brënda vendit me rrugët dhe mjetet e duhura. Me këtë casje palët politike do të dëshmonin se demokracia shqiptare është në një fazë të re maturimi dhe se ka lënë pas fazën e saj hibride. Përkundazi, politika shqiptare po dëshmon se hyn në kriza dhe nuk ka aftësinë dhe përgjegjshmërinë për të dalë prej tyre. Në këtë mënyrë demokracia shqiptare po dëshmon se vazhdon të jetë në në fazë hibride.

Në mjedisin politik shqiptar ka një zë që nuk e ka humbur akoma arsyen e ftohtë, qetësinë, vetëpërmbajtjen, neutralitetin dhe konstitucionalitetin – ky zë është Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Presidenti Meta është i vetmi që ka dëshmuar dhe po dëshmon casjen e duhur për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike brënda vëndit, me rrugët dhe mjetet e duhura. Presidenti Meta është i vetmi që po heshtë kur të tjerë po llapin natë e ditë me retorika politikisht boshe, dhe po flet kur të tjerët me përgjegjësitë kryesore të krizës po heshtin. Mbi të gjitha Presidenti Meta, ndryshe nga aktorët e tjerë politik, qasjen e tij aktive dhe kritike e bashkëshoqëron me propozime konkrete për zgjidhje.

Në deklaratat e ditëve të fundit Presidenti Meta është fokusuar publikisht në krizën politike që ka kapluar vëndin. Qysh në krye të herës, Presidenti Meta ka qënë qortues për të dy palët, mazhorancën dhe opozitën. Ai e ka qortuar dhe njëherazi këshilluar me kohë dhe vazhdimisht mazhorancën, qeverinë dhe kryeministrin, që të shohin realitetet në sy, të ulin tonet e arrogancës e të kokëfortësisë, të kërkojnë e gjejnë rrugën e dialogut, të përmirësojnë informimin e komunikimin me opinionin publik, politik e mediatik, të jenë transparent në vendimet dhe veprimet e tyre, të jenë luajal me kushtetutën dhe ligjin dhe serioz me detyrimet në procesin e integrimit në BE.

Nga ana tjetër, Presidenti Meta qysh në krye të herës ka qënë qortues e këshillues edhe për opozitën. Meta ka kritikuar seriozisht dhe publikisht opozitën për qasjen ekstreme të dorëzimit të mandateve dhe largimin nga parlamenti si dhe për të qënë të përmbajtur në qëndrimet dhe aksionet e saj politike e qytetare. Meta i ka sugjeruar në mënyrë insistuese opozitës që të ndërtojë një aksion dy dimensional, parlamentar dhe qytetar si dhe të menaxhojë lëvizjen politike dhe aksionin qytetar me vetëpërmbajtje e pa dhunë.

Në mënyrë të vecantë, Presidenti Meta mjeshtërisht i është shmangur rënies në ‘pasionet e politikës shqiptare’ të ditës si dhe në tymnajat e sulmeve të mirëpaguara dhe egoistike. Si një kundërshtar i vendosur i polarizimit politik dhe i konfliktualitet mazhorancë-opozitë, Presidenti Meta ka dhënë sinjale të herë pas hershme të gadishmërisë së tij për të marrë përsipër barrën e rëndë të ndërmjetësimit midis palëve, përmes krijimit të një tryeze politike të të gjithë faktorëve legjitim të spektrit politik përfaqësues të vëndit.

Mjerisht, cdo sinjal i Presidentit për tu vënë në shërbim të lehtësimit të gjetjes së rrugëve për zgjidhjen e krizës brënda vëndit është pritur me retorikë mos pajtuese, agresive dhe cinike nga mazhoranca, qeveria dhe vetë kryeministri. Nga ana tjetër, edhe opozita, pavarësisht disa partive të vogla të grupit opozitar, nuk ka shfaqur vullnet të qartë për ndërmjetësimin e Presidentit Meta, madje në heshtje ka dhënë shënja mospajtuese.

Në daljen e kohëve të fundit Presidenti rikonfirmoj sërish vullnetin e tij të plotë për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës politike. Por, Meta, më shumë duke iu drejtuar zërave që ia kanë kërkuar atij këtë rol, u deklarua se nuk mund të ndërmjetësoje kur dy palët kryesore nuk e mbështesin dhe nuk kanë vullnet për një gjë të tillë.

Palët kondicionojnë njëra-tjetrën në mënyra tërësisht përjashtimore. Njëra palë, opozita, ka vënë kushte për dialog dorëheqjen e kryeministrit, qeverinë tranzitive, shtyerjen e zgjedhjeve lokale e më tej ndryshimin e sistemit, kodit zgjedhor dhe përshpejtimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërsa pala tjetër, mazhoranca, perjashton dorëheqjen e kryeministrit, insiston në mbajtjen e zgjedhjeve me 30 qershor edhe pa opozitën si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme në afatin kushtetues, në 2021.

Në këtë pozicionim pa asnjë hapsirë manovrimi midis palëve, vënia e Presidentit në dispozicion të palëve për ndërmjetësim negociues është njëherazi edhe sakrificë dhe kontribut dinjitoz. Polarizimi ekstrem mazhorancë-opozitë dhe konflikti që ky polarizim prodhon është përgjegjësi e madhe historike e faktorëve politikë. Ky polarizim ka shkaktuar dhe do vijojë të shkaktojë pasoja direkte në jetën politike, institucionale, ekonomike e sociale, do dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë në Evropë dhe do ndagalësojë procesin e integrimit të vëndit në BE.

Duke mos pranuar ndërmjetësimin e Presidentit Meta për zgjidhjen e krizës politike brënda vëndit, dy palët kryesore të politikës, sidomos mazhoranca, qeveria dhe kryeministri i vëndit, po humbin një shans të madh historik – atë të demonstrimit të shkallës së pjekurisë të politikës shqiptare për tu përballur me kriza dhe për t’i zgjidhur ato me mjete politike brënda vëndit. Dy palët e politikës, por sidomos mazhoranca, qeveria dhe kryeministri po e shpien procesin në ‘dorëzimin’ e zgjidhjes së krizës tek faktorët ndërkombëtar. Ky është dështim i plotë i tyre.

Është ky moment që shtyu koalicionin CDU-CSU të Gjermanisë që të ndërmarrë iniciativën për ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Personalisht, nuk jam kundër ndërmjetësimit të CDU-CSU për zgjidhjen e krizës, por padyshim do kisha dashur që më në fund, pas 28 viteve tranzicion të dëshmonim aftësinë dhe përgjegjshmërinë për të adresuar krizat e brëndshme me anë të dialogut dhe përmes institucioneve politike dhe institucionale të brëndshme. Presidenti Meta e ofroi këtë mundësi të fundit për ta bërë këtë. Arroganca dhe kokëfortësia, paaftësia dhe mungesa e përgjegjshmërisë së politikës e humbën këtë shans. Politika shqiptare po provon se nuk po del dot nga faza hibride e saj.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...